Në parlamentin grek është depozituar këto ditë një amendament për uljen e tarifave të lejeve të qëndrimit.
Amendamenti, që pritet të votohet javën e ardhshme, redukton në mënyrë të ndjeshme tarifat për një sërë lejesh qëndrimi, duke favorizuar një numër mjaft të madh emigrantësh.
Bëhet fjalë për lejet e nxjerra sipas udhëzimeve europiane, për të cilat emigrantët në Greqi paguajnë shumë më tepër se në vendet e tjera të Unionit.
Këto janë: leja e rezidentit afatgjatë, leja unike, karta blu, leje qëndrimi për bashkim familjar, për studime, dhe për kërkime.
Lejet europiane do të unifikohen dhe pagesa do të jetë 150 euro për çfarëdo lloj lejeje dhe pavarësisht afatit.
Qeveria greke e paraqiti amendamentin pas paralajmërimeve nga Komisioni Europian se Greqia do të mund të penalizohej për shkak se aplikon tarifa shumë të larta për lejet e qëndrimit europiane.
Në arsyetimin që shoqëron tekstin e amendamentit, thuhet ndër të tjera:
“Konsiderohet se shuma 400 euro për lejen e rezidentit afatgjatë, si dhe shumat që variojnë midis 150 – 450 euro për nxjerrjen e lejes unike, “kartës blu”, lejet e qëndrimit për bashkim familjar, studime apo kërkime, nuk respektojnë parimin e reciprocitetit dhe përbëjnë pengesë për ushtrimin e të drejtave përkatëse nga shtetasit e vendeve të treta”.
Nga ana tjetër, mbeten të pandryshuara tarifat për lejet kombëtare. Ndër këto leje përfshihen: ajo 10 vjeçare, leja për arsye të jashtëzakonshme dhe leja e qëndrimit e brezit të dytë. /oranews