*Familjarët e Besnik Bushit: “Gjeni hajdutët e vërtetë të prokurorisë. Vëllai im s’ka bukë për familjen, është i pafajshëm. Kanë arrestuar fakirë fukarenjtë që nuk kanë lidhje me vjedhjen e Prokurorisë. Duam drejtësi”.

Dilaver Bushi është vëllai i Besnik Bushit, një prej dy të arrestuarve si të dyshuar nga prokuroria si autorë të bastisjes së prokurorisë së Durrësit, mëngjesin e 24 majit. Në një intervistë për “DurrësLajm”, Dilaver Bushi konfirmon pikë për pikë ato që vëllai i tij 54-vjeçar tha në sallën e gjyqit. Dilaveri thotë se vëllai i tij është i pafajshëm për akuzën e vjedhjes në bashkëpunim, të ngritur nga prokuroria e rrethit Durrës, dhe sipas tij janë arrestuar njerëz që nuk kanë lidhje me ngjarjen.

“Natën e bastisjes së prokurorisë, unë, im vëlla e dy persona të tjerë kemi qenë në bregdetin e Kavajës duke gjuajtur peshk. Merrni kamerat e sigurisë së hotel “Germanisë”, verifikojeni e mos mbani njerëz të pafasjshëm në burg”, thotë Dilaveri.

“Familjen e ka pa bukë dhe pa drita se nuk kanë lekë të paguajnë as dritat. Besniku nuk e di fare ç’janë kompjuterat e serverat. Një palë pinca për dritat ka mbajtur gjithë jetën në dorë. Në shtëpinë me qira është pa drita. Ka që nga janari që nuk paguante dot qiranë se nuk kishte gjetur punë. Dy vajzat në shkollë, nuk ka familja për të ngrënë”, nënvizoi i vëllai. 

Familajrët kërkojnë drejtësi. “Me drejtësi ai del vetë nga burgu. Të bëhet drejtësia mbi këtë çështje”.  

TRE TË AKUZUARIT

Siguria e prokurorisë dyshohet se u thye nga Besnik Bushi, 54 vjeç, Artur Isa 49 vjeç nga Sukthi dhe Nias Lena, roja që kishte pesë ditë në punë. Dy të parët akuzohen për vjedhjen e memories elektronike të Prokurorisë, dhe bastisjen e zyrës së prokurorit Afrim Shehu dhe të një oficeri të policisë gjyqësore.

Asnjë prej tre të arrestuarve nga policia nuk e ka pranuar pjesëmarrjen në bastisje, midis tyre edhe roja i institucionit.

Në masën e sigurisë prokuroria si provë të vetme nxori 13 gjurmë gishtash të gjetura në sahatin e dritave dhe në derën e prokurorit Afrim Shehu. Motivi nuk është gjetur për asnjë prej të arrestuarve, po gjurmë të një gishti unaze dhe një gishti të madh të secilit prej tyre janë gjetur.

K.H.