Ministri i Brendshëm në Kosovë, Bejtush Gashi ka folur për Albert Veliun i njohur si ‘dëshmitari X’, i cili u ndalua pak ditë më parë në Kosovë.

Gjatë një vizite në pikat kufitare në Morinë dhe Shishtavec, ministri i Kosovës tha se Albert Veliu ka kërkuar azil politik në Kosovë dhe po kryhen të gjitha procedurat pas kërkesës së bërë.

“Albert Veliu ka kërkuar azil politik në Kosovë. Jemi duke kryer te gjitha procedurat pas kërkesës së bërë nga Albert Veliu, i njohur si “Dëshmitari X ”. Kosova e detyruar të zbatojë konventat ndërkombëtare”, tha ministri i Kosovës.

“Babalja” u arrestua pak ditë më parë në Kosovë, së bashku me të birin, ndërsa dëshmoi para policëve se nëse kthehet në Shqipëri mund ta vrasin.

“Kam frikë për jetën. Nëse me ktheni në Shqipëri do të më vrasin”, ka thënë ai.