Kuvendi i Republikës së Maqedonisë të premten vonë, me shumicë votash zgjodhi ministrat dhe zëvendës ministrat e rinj të Qeverisë, si pjesë e rikonstruimit të Qeverisë.

Me 67 vota pro dhe 23 kundër, Kuvendi zgjodhi Renata Deskoska për ministre të Drejtësisë, ndërkohë që votimi i Asaf Ademit për ministër të Kulturës, kaloi me 66 vota pro dhe 23 kundër.

Arbër Ademi është ministri i ri i Arsimit dhe Shkencës, për të cilin votuan 67 deputetë, ndërsa 25 ishin kundër, ndërsa Bardhyl Dauti u zgjodh ministër pa resor me 65 vota pro dhe 26 kundër dhe një të përmbajtur.

Kuvendi zgjodhi edhe zëvendësministrat e përbërjes së re qeveritare.

Andrej Zhernovski është zv/ministër i ri i Punëve të Jashtme, pasi për të votuan 67 deputetë ndërsa 20 ishin kundër, ndërkohë që Asim Musa me 67 vota pro 19 kundër dhe një të përmbajtur u zgjodh zv/ministër i Shëndetësisë.

Në vazhdim, deputetët e Kuvendit të Maqedonisë me 64 vota pro, 16 kundër dhe 3 të përmbajtur, zgjodhën Gjonul Bajraktarin për zv/ministër të Punës dhe Politikë Sociale, ndërsa Sadik Beqiri me 64 vota pro dhe 18 kundër, u emërua zv/ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Pjesa e parë e seancës parlamentare, filloi me fjalën e kryeministrit Zoran Zaev, i cili bëri një prezantim të emrave të ri të propozuar.

“Po lëmë pas një vit të funksionimit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë. Po lëmë pas vetes krizën e thellë politike duke hapur procese serioze të reformave për të rikthyer besimin në institucionet dhe ambientin demokratik. Maqedonia nga një shtet i izoluar dhe me tensione politike u shndërrua shumë pranë anëtarësimit në NATO dhe me gjasë edhe tek data për negociata me BE-në”, tha Zaev.

Zaev dërgoi një mesazh për qytetarët, të cilëve u tha se vendi është në rrugën e duhur dhe se po lëviz në drejtim të saktë, që do të dëshmohet përmes aktiviteteve serioze reformuese.

Me krijimin e kushteve për forcimin e shumicës parlamentare të krijojmë një pëlqim sa më të madh për vendimet të cilat do t’i marrim së shpejti”, tha Zaev.

Në këtë shtëpi të demokracisë, tha si, së shpejti do të miratohen vendime të cilat do t’i sjellin Republikës së Maqedonisë më shumë shpresë, prosperitet dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët e saj.

Qeveria e kryeministrit Zaev, me ndryshimet e propozuara do të këtë tre partnerë të ri koalicioni, krahun e Besës, që për kryetar ka Afrim Gashin, Partinë Demokratike Shqiptare (PDSH), si dhe Lidhjen e Romëve./AA