Sot është 1 Qershori, Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve. Fëmijët e të gjitha moshave kërkojnë sot vëmendjen e prindërve dhe shtetit. Kjo ditë është kthyer jo vetëm në një ditë festive, por edhe në një ditë sensibilizimi, per t'i thënë jo dhunës dhe abuzimit ndaj fëmijëve. Është dita kur vetë fëmijët ngrenë zërin për të drejtat e tyre, por në ndryshim nga të rriturit, protesta e tyre bëhet me lojëra festive.
Në Shqipëri dhe mbarë botën, kjo ditë u kushtohet fëmijëve, me aktivitete të larmishme. Dita e fëmijëve është vendosur më datën 1 qershor, sepse në këtë datë është mbajtur konferenca botërore e mirëqenies së fëmijëve në Gjenevë në 1925-n.
Në fakt 1 Qershori e ka origjinën nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina, por nuk ka të bëjë me komunizmin. Në vitin 1925 konsulli i përgjithshëm kinez në San Francisko mblodhi së bashku një numër të konsiderueshëm fëmijësh jetimë kinezë të celebronin në festivalin e “Anijes së Dragoit”. Kjo gjë rastisi të ishte në të njëjtën ditë me konferencën në fjalë. Festa e 1 Qershorit filloi të festohet pas dy vitesh. Shumë vende të botës e kanë pranuar atë si festën ndërkombëtare të fëmijëve dhe realizojnë festime të cilat kanë si qëllim të rrisin vëmendjen në drejtim të mirëqenies së tyre.
Në këtë ditë, fëmijët bëhen qendra e vëmendjes në mbarë botën dhe shumë aktivitete u kushtohen vetëm atyre.
Stafi i “DurrësLajm” iu uron të gjithë fëmijëve në mbarë botën: Gëzuar Festën!





