Investimi më i fundit i Bashkisë së Tiranës, Amfiteatri i Liqenit u inaugurua mbrëmjen e djeshme (30 maj). Nga një hapësirë e rrënuar dhe e papërdorshme, Amfiteatri u shndërrua në një teatër të hapur me skenë, ndenjëse, sallë teknike, podium dhe dhoma zhveshjeje të reja.
Frazës ‘ne s’kemi bukë të hamë, ju bëni teatër e bëni koncerte’, kryebashkiaku Veliaj i parapriu në fjalën e mbajtur në ceremoninë e inaugurimit.
“Lajmi i mirë është që pothuajse çdo natë do të ketë një aktivitet e mbi të gjitha ta gëzojmë Amfiteatrin e rilindur të Liqenit të Tiranës. Ne patëm një sherr shumë të madh këtu, te këndi i lodrave, patëm një të tillë me një të vogël këtu, por gjithmonë u them njerëzve, atyre që thonë ‘ne s’kemi bukë të hamë, ju bëni teatër e bëni koncerte’. Nëse qëllimi kryesor i bashkive e qyteteve do të ishte buka, bashkitë do të ishin furra të mëdha buke. Ata që mendojnë se vetëm buka është ajo që na intereson , lajmi i mirë është që ky teatër do të prodhojë edhe më shmë bukë, sepse do të prodhojë më shumë ekonomi, do të ketë më shumë artistë që do të kenë aktivitete, prej tyre do të gjenerohet turizmi në Tiranë”, tha Veliaj, teksa i quajti tri vitet e shkuara në krye të Bashkisë së Tiranës si vitet më të bukura të jetës së tij.





