Sot do të zhvillohet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit seanca e dytë për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla. Seanca e parë u shty për shkak të problemeve që avokati kishte me prokurën dhe faktin që sipas përfaqësuesit ligjor, Llalla nuk ishte njohur me vendimin e Komisionerit Publik.
Pas marrjes së prokurës së posaçme nga avokati Sokol Hazizaj sot do të zhvillohet seanca për Llallën, i cili dyshohet se ndodhet në Gjermani. Ish-kryeprokurori hoqi dorë nga sistemi i drejtësisë për t'i shpëtuar Vettingut dhe procesi ndaj tij u ndërpre nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ndërsa Komisioneri Publik i dorëzoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit çështjen, ku kërkohet që ish-Prokurori Adriatik Llalla t’i nënshtrohet vettingut.
Trupa gjykuese përbëhet nga; Sokol Como, Luan Daci (relator), ish-kryeprokurorja Ina Rama, Albana Shtylla dhe Ardian Hajdari. Ndërsa përveç ankesës së Komisionerit Publik, ish-kryeprokurori Llalla po hetohet nga Prokuroria për Krimet e Rënda për disa vepra penale.
Hetimet janë regjistruar për veprat penale të “Refuzimit për deklarim, mos deklarimit, fshehjes ose deklarimi i rremë i pasurisë, interesave private të zgjedhur dhe nënpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për për deklarim”. “Mos deklarimit të shumave të të hollave ne kufi”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale “ dhe të “Shpërdorimit të detyrës”.





