Operacioni i pasdites së djeshme në Durrës, që rezultoi me pezullim nga detyra dhe hetim në gjendje të lirë për 10 zyrtarë të Autoritetit Portual në Durrës, ka shkaktuar zemërim tek një personazh jo pak i panjohur në opinionin publik.

Nard Koka, “kumbari” i darkës së ngjalave mes Ramës dhe Metës në pajtimin e tyre në Gjirin e Lalzit, për 7 orë, në mesmajin e vitit 2012, pranon për “newsbomb.al”, se Auert Koka, 36 vjeç, që do të hetohet në gjendje të lirë për shkak të akuzës së prokurorisë për pabarazi në tendera, është nipi i tij.

“Që Oerti është nipi im këtë të siguroj. Po Prokurorja Rrumbullaku, gruaja e kujt është, këtë s’e di”, shkruan ai në sms për “newsbomb.al”, duke vendosur më pas një investigim të një portali që flet për Alban Mësonjësin, burrin e prokurores Rrumbullaku.

Sipas artikullit në portal, Mësonjësi dyshohet se është përfshirë në një skemë pastrimi parash me kompani të “parajsës fiskale” të përfshira në skandalin global “Panama Papers”. Sipas portalit, bashkëshorti i saj, është administrator i dy kompanish bastes “Timbast” dhe “24bast”. Dy kompani offshore “Trillado Enterprises” dhe “Charino Holding” kanë transferuar te kompanitë shqiptare një shumë prej 225 mijë eurosh nëpërmjet sistemit bankar.

Koka thotë se më parë prokurorja Rrumbullaku i ka shërbyer me devotshmëri ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, e tani, për kryeprokuroren e re Arta Marku.

10 zyrtarët e Portit, mes të cilëve dhe nipi i Kokës, janë duke u hetuar në gjendje të lirë për shpërdorim detyre, sipas njoftimit për shtyp të Drejtorisë së Policisë së Shtetit. 

fvghtrh4rhy45hfghj.jpg

Marrë nga "newsbomb.al"