Punimet janë duke avancuar në segmentin rrugor Mauzoleumi i Dëshmorëve—Sheshi "Liria", por sa më shumë avancojnë aq më shumë sy bie mungesa e parkingjeve.
Trotuaret janë duke u zgjeruar pikërisht aty ku më parë parkoheshin makinat. Tani me punimet që po kryhen, as këmbësorët e as automjetet nuk kanë më vend kalimi e qëndrimi.
Rrugët e Durrësit janë bërë të ngushta njësoj si në kohën e Enver Hoxhës, kur në to qarkullonin vetëm makinat e kryetarit të komitetit dhe BC-të e Ministrisë së Brendshme.
Në atë kohë, rrugët nuk duheshin të gjëra se nuk kishte mjete që të lëviznin, por tre dekada më vonë, në kohët e sotme të gjithë kanë mjete dhe jo për lluks por për punë. Të gjithë vrapojnë të kapin orarin e punës, të kryejnë nevojat e përditshme të familjes e jo vetëm kaq.
Edhe turistët që i drejtohen Durrësit këto ditë përballen me punimet në rrugë.
Rikonstruksioni është për t'u përshëndetur e për t'u vlerësuar si investim nga të gjithë, por opinioni publik në Durrës ka mbetur shumë i pakënaqur në lidhje me këto investime, nisur nga fakti se trotuaret po zgjerohen në kurriz të rrugës që deri dje funksiononte për qarkullimin e mjeteve.
Rikonstruksioni duhej të ishte sipas kërkesave dhe nevojave që ka qyteti jo sipas dëshirës së ndonjë projektuesi që do të shesë mermerin e bardhë të importuar nga Italia e me të, të mbushë rrugët e asfaltuara të Durrësit.
Edhe ku rrugët ishin më të gjëra, mungesa e parkingjeve ishte një problem i madh ndërsa tani me ngushtimin e tyre, nuk dihet si do zgjidhet halli i durrsakëve me makinat që duhet t'i parkojnë diku!
K.H.





