Kancelari Sebastian Kurz tha të mërkurën se Austria mbështet fuqishëm integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, por shtoi se nuk mund të jepte një datë të saktë për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë në BE.

Për këtë, ai tha se pengesë janë problemet e brendshme me të cilat disa vende të Unionit po përballen.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, kancelari austriak, vendi i të cilit merr presidencën e radhës të BE-së në korrik tha:

“Nuk mund t’ju jap një përgjigje apo siguri të qartë. Ka disa shtete të BE-së që për shkak të problemeve të rëndësishme e kanë të vështirë të thonë po, megjithatë ka një dëshirë të fortë në Shqipëri për të kryer reformat dhe ka një mundësi të mirë. Nuk e di se kur mund të merret ky vendim, por mund t’ju them se Shqipëria është në një rrugë të mirë.”