Kreu i ALUZNI-t, Artan Lame kërkoi sot nga bashkitë që të mos japin asnjë leje ndërtimi për firmat që nuk kanë legalizuar ende pallatet e ndërtuara prej tyre më parë.

“Janë të shumta subjektet që vazhdojnë të luajnë si macja me miun duke na sjellë vërdallë ne si institucion dhe qindra e mijëra qytetarë”, tha Lame duke shtuar se një pjesë e firmave paraqiten në institucione dhe kërkojnë leje të tjera ndërtimi për të marrë në qafë të tjerë pronarë.

Ne do të fillojmë t’ju përcjellim bashkive listat e këtyre subjekteve dhe do t’ju kërkojmë bashkive që këto shoqëri dhe këta persona të mos pajisen më me leje të reja ndërtimi pa shlyer detyrimet dhe pa kryer procesin e legalizimit për objektet tashmë të ndertura prej tyre. Po e fillojmë këtë proces me Bashkinë e Tiranës. Unë kam këtu një listë me 341 objekte ose persona, të cilat po sot do të përcillen në Bashkinë e Tiranës dhe do t’i kërkohet ajo që thashë më sipër. Asnjë leje e re për këto subjekte pa përmbyllur legalizimin e pallateve të ndërtuara deri më sot.”

Lame tha se problemi i pallateve të braktisura është një problem i lindur që nga viti 1993-94 dhe vazhdon ende të rëndohet. Ai shtoi se gjysma e lejeve të ndërtimit të dhëna nga bashkitë rezultojnë ende me probleme, çka do të thotë se një ditë apo një tjetër ato do të trokasin në dyert e ALUIZNI-t për t’u futur në procedurat e legalizimit.