Pas një bashkëpunimi të sukesshëm mes COORP (Platforma Bashkëpunuese Offline & Online e Kërkimit Shkencor) dhe Diasporës Akademike Shqiptare, Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës (UAMD) mirëpret dy profesorë nga London Schools of Economics (LSE). Nga data 28 maj deri më 1 qershor, Lea Ypi dhe Jonathan White do të zhvillojnë disa takime me stafin dhe studentët e UAMD-së në kuadër të projektit “Angazhimi i diasporës akademike në Kërkimin në Shkenca Sociale dhe Arsimin e Lartë në Shqipëri”.

Prof. Ypi dhe prof. White u pritën në një takim nga znj. Rektore Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, e cila i njohu ata me strategjitë dhe politikat kërkimore të Universitetit.

Më pas, para një auditori me pedagogë dhe studentë të Shkencave Politike, dy akademikët promovuan librin e tyre “The meaning of partisanship”. Paneli u organizua nga Prof. Dr. Lekë Sokoli, Zv. Rektori për Kërkimin Shkencor dhe lektorja e Departamentit të Shkencave Politike, Dr. Belina Bedini. Diskutimi mbi librin ngjalli shumë kuriozitet tek studentët e Shkencave Politike, të cilët bënë pyetje dhe komente në lidhje me partitë politikë, militantizmin dhe tranformimin e tij në Evropë dhe më gjerë. Dy autorët dhuruan kopje të librit për Bibliotekën e Universitetit.

Projekti “Engaged Diaspora” është një projekt i mundësuar nga Coorp dhe Perform, i cili drejtohet nga Dr. Belina Bedini.

Projekti mundësoi vizitën e Prof. Lea Ypi nga London School of Economics and Political Sciences në UAMD. Lea Ypi është nga qyteti i Durrësit, ku ka jetuar deri në moshën 18-vjeçare, për t’u larguar më pas në Itali ku kreu studimet e larta për filozofi në Universitetin La Sapienza. Ajo është lektore e Departamentit të Qeverisjes në LSE dhe profesoreshë e asociuar në Shkollën Kërkimore të Shkencave Sociale në Universitetin Kombëtar Australian. Prof. Ypi është fituese e Çmimit për ekselencë në Shkenca Politike “Brian Berry” (akorduar nga Akademia Britanike), ndërsa puna e saj kërkimore – shkencore është përkthyer në shumë gjuhë përfshirë atë italiane, spanjolle dhe kineze.