Ekipi i Teutës ka zyrtarizuar edhe një tjetër largim nga ekipi. Ditën e sotme, durrsakët njoftuan ndërprerjen e bashkëpunimit me mbrojtësin Masahudu Alhasan. Teuta i uron suksese mbrojtësit ganez, por nuk ka vendosur ta ketë në organikë edhe për edicionin tjetër.
Më poshtë, njoftimi nga Teuta Zyrtare: Masahudu Alhassan nderpret bashkepunimin me Teuten.
Klubi njofton se nga sot Masahudu Alhassan ka përfunduar aventurën e tij me ekipin e Teutes. Klubi i uron suksese të mëtejshme në karrierën e tij si futbollist.
Gjatë këtij sezoni mbrojtësi që ka veshur edhe fanellën e kombëtares së Ganës ka zbritur në fushë në 13 ndeshje prej të cilave 12 si titullar, ndërsa ka shënuar edhe një gol. 25-vjeçari gjithashtu ka grumbulluar edhe dy ndeshje në Kupën e Shqipërisë, në çerekfinale ndaj Skënderbeut.
Ganezi është futbollisti i katërt që largohet nga Teuta, pasi më herët kanë zyrtarizuar largimin edhe Ardit Hila, Burhan Mustafov dhe Amir Bilali.
Akoma nuk dihet e ardhmja e Hugo De Marchi dhe e Amadu Latif, por nëse i pari e ka të sigurtë largimin, pasi gjatë këtij sezoni ka grumbulluar vetëm dy ndeshje, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për sulmuesin afrikan, që ishte edhe golashënuesi i skuadrës me nëntë rrjeta.





