Shoqata në mbrojtje të grupeve vulnerabël në Durrës, ka vendosur t'i vijë në ndihmë familjes së Shkëlqim Sinës në zonën e Ish-Kënetës, i cili bashkë me dy fëmijët dhe bashkëshorten jetojnë mes varfërisë ekstreme.
Familja katër anëtarëshe është shpërngulur nga Peshkopia në Durrës për një jetë më të mirë, por për shkak të mungesës së një vendi pune, jeta e tyre vetëm është vështirësuar, e deri dje, në ndihmë iu vinin fqinjët apo një mik i kryefamiljarit që i ka ofruar banesën falas përkohësisht.
Ky rast i gjendjes së rëndë ekonomike, ka prekur edhe drejtuesit e shoqatës në mbrojtje të shtresave vulnerable, ku presidentja, Rajmonda Haxhija ka vizituar familjen në nevojë.
Haxhija ka dhuruar ndihma ushqimore dhe lodra për fëmijët, me qëllimin e vetëm që të zbusë sado pak varfërinë në të cilën ndodhet familja Sina, të cilët nuk ngurojnë të falenderojnë ata që kthyen sytë nga ta.
Familjet në nevojë në zonën e Ish-Kënetës janë të shumta, pasi niveli i papunësisë është mjaft i lartë në këtë pjesë të qytetit të Durrësit.
K.H.





