“Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) do të vijojë të mbështesë Shqipërinë në përmirësimin e teknologjisë për trajtimin radioterapeutik të pacientëve që vuajnë nga sëmundjet tumorale si dhe për trajnimin e stafit mjekësor për përdorimin e aparaturave të teknologjisë së lartë”.
Këto çështje u dakordësuan gjatë takimit që ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu zhvilloi me numrin 2 të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike në Vienë, z. Dazhu Yang.
Gjatë bisedës, u theksua bashkëpunimi i suksesshëm mes Agjencisë (IAEA) dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Shqipërisë, në fushën e trajtimit dhe mbrojtjes nga rrezatimet. Ministrja Manastirliu vlerësoi asistencën e Agjencisë për bashkëfinancimin e akseleratorit të dytë linear të instaluar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” si dhe për trajnimin e personelit mjekësor dhe teknik të Njësisë së Radioterapisë.
Yang e konsideroi Shqipërinë një rast suksesi për bashkëpunimin me Agjencinë dhe garantoi mbështetjen në vijim për vendin tonë përmes projekteve konkrete në fushën e trajnimeve te stafit mjekësor dhe mbrojtjes nga rrezatimi.





