Mali i Zi është duke planifikuar ngritjen e një gardhi në kufi me Shqipërinë për të bllokuar kalimin e emigrantëve. Reagimi i qeverisë malazeze vjen si rrjedhojë e faktit se mijëra emigrantë nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut janë duke përdorur si rrugë kalimin nga ky vendet për të shkuar në BE.
Rruga e emigrantëve në Ballkan për të shkuar në vendet e BE-së është sipas këtij itinerari; Greqi-Shqipëri- Mali i Zi-Bosnjë për të kaluar në Kroaci dhe në shtete të tjera të Bashkimit Europian.
"Në rastin e një fluksi më të madh të emigrantëve, ne mund të ngremë një gardh me tela në kufirin me Shqipërinë", tha për televizionin shtetëror Vojislav Dragovic, kreu i departamentit të Malit të Zi për mbikëqyrjen e kufirit shtetëror.
Vojislav Dragovic tha gjithashtu se autoritetet shqiptare shpeshherë kanë refuzuar të pranonin emigrantët që u kthyen nga Mali i Zi, bazuar te marrëveshja dypalëshe. Pas valës së emigrantëve nga Siria, Iraku, Pakistani dhe vende të tjera, shumë vende kanë siguruar kufijtë e tyre me barriera fizike.
Hungaria ishte vendi i parë që vendosi një gardh me tela në kufijtë e saj me Serbinë dhe Kroacinë gjatë krizës në 2015-n, kur më shumë se një milion emigrantë erdhën në Evropë.