Në Gjykatën e Krimeve të Rënda ka nisur seanca për verifikimin e masës së sigurisë ku ish-ministri Saimir Tahiri do të merret në pyetje. Gjyqtare e seancës është Liliana Baku. 

Në sallë është i pranishëm vetë Tahiri. Ndërkohë përballë tij janë edhe dy prokurorët e çështjes, Vladimir Mara dhe Besim Hajdarmataj. Ky i fundit, u shkarkua vetëm pak ditë më parë nga drejtimi i Prokurorise se Krimeve të Rënda.

Seanca ka vijuar pa praninë e kamerave, duke lejuar vetëm praninë e gazetarëve.

Avokati i Tahirit, Maks Haxhia, ndërsa u fut në Gjykatën e Krimeve të Rënda rreth orës 10:30 tha se do të kërkojë shfuqizimin e vendimit që ka marrë gjykata në ngarkim të klientit të tij.

Ish-Ministri i Brendshëm mbërriti në gjykatë me një makinë policie dhe u shoqërua në ambientet e brendshme nga efektivët. Edhe pse media e priste prej mëngjesit herët tek porta kryesore e banesës tek "Kodra e Diellit", Tahiri nuk u pa të dilte.

Nuk dihet nëse banesa ka dalje tjetër, apo Tahiri ka manovruar duke dalë herët nga shtëpia për të shmangur median.

Tahiri akuzohet për trafik të narkotikëve në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetëror në kuadër të hetimeve për dosjen "Habilaj".