Astrit Keçi, personi i arrestuar ditën e premte nga policia e Durrësit, rezulton të jetë kushëriri i të “fortit” të Shijakut, Durim Keçit, i arrestuar në tetor 2017 po nga policia e Durrësit për llogari të drejtësisë italiane, por i liruar në janar të këtij viti nga gjykata e qytetit bregdetar.

Durim Keçi

Në kohën e arrestimit të Durim Keçit, opozita dhe kreu i PD-së Lulzim Basha denoncuan lidhjet e tij me eksponentë të rëndësishëm të PS.

Ndërkohë, arrestimi i kushëririt të tij, 49-vjeçarit Astrit Keçi është njoftuar të premten nga Policia e Shtetit në faqen zyrtare ku thuhet se ai rezulton i dënuar me 30 vite burg.

Gjykata e Apelit në Milano e ka dënuar Astrit Keçin në 9 shkurt 2016 me 30 vjet burgim, për veprën penale "Organizatë kriminale me qëllim trafikimi të lëndëve narkotike". Por masa është dhënë në mungesë, pasi Keçi kishte mundur të largohej ilegalisht nga Italia më herët.

Gjykata e Durrësit ka vendosur sot pranimin e kërkesës së prokurorisë, për miratimin e arrestimit të përkohshëm, ndaj shtetasit Astrit Keçi, për qëllim ekstradimi për shkak të dënimit të dhënën në ngarkim të tij me vendimin penal të Gjykatës së Apelit Milano me të cilin është dënuar me 30 vjet burg për kryerjen e veprës penale "Organizatë Kriminale me qëllim Trafikimi i lëndëve narkotikëve".