Prej dekadash shkencëtarët janë të ndarë në fraksione përsa i takon mënyrës sesi do të shuhet Dielli ynë dhe në qarkullim janë me dhjetra teori, e përbashkëta e të cilave është fakti se kjo nuk do të ndodhë para afërsisht 10 miliardë viteve.

Së fundmi është një grup studiuesish që beson se ka dëshifruar rrugën sesi ylli ynë do të pushojë se ekzistuari. Skuadra e astronomëve dhe fizikanëve, të udhëhequr nga profesori Albert Zijstra i Universitetit të Manchester beson se fundi i Diellit (jo i njerëzimit) do të shfaqet në një formë “lavdie hapësinore” që quhet nebula planetare.

Sipas këtij studimi, që ka marrë rreth një dekadë kohë, në vitet e fundit të tij, kur Dielli ynë është duke djegur hidrogjenin që i ka mbetur, do të shndërrohet në një gjigant të madh të kuq, duke u përhapur me 250 herë nga masa aktuale.

“Kur një yll vdes hedh në hapësirë gaz dhe pluhur kozmik në një sasi sa gjysma e tij. Pjesa tjetër është bërthama, që ndriçon në ngjyrë të bardhë dhe vazhdon të djegë atë pak karburant që i ka mbetur për të paktën 10 mijë vite të tjera, një kohë e vogël në astronomi”, thotë profesor Zijstra, një ndër emrat më me peshë në astronomi.

Kjo do të thotë se Dielli në këtë fazë do të ketë gllabëruar Tokën dhe të gjithë planetet e tjera të sistemit tonë, ndërsa sa për fatet e njerëzimit, mos u shqetësoni! Ne, nëse nuk do të jemi larguar prej këtu, do të jemi zhdukur prej kohësh. Raporti i plotë studimor i shkencëtarëve ndërkombëtarë u publikua në revistën “Nature Astronomy”.