Fenomeni i dhunës ndaj bluzave të bardha, mjekëve dhe infermierëve ka patur raste të shtuara gjatë muajve të fundit në Urgjencën e spitalit të Durrësit.
Janë raste të shtuara ku pacientët në mungesë të barnave dhe të shtretërve kanë dhunuar mjekët dhe infermierët, të cilët janë të paktë në personel. Rreth 400 pacientë në ditë nga Rrogozhina, Kavaja dhe Durrësi përballen një urgjencë të vogël që ka spitali, e ndërtuar para më shumë se 12 vitesh. Drejtoresha e spitalit të Durrësit, Nadire Kërtusha Jani, në një intervistë për "DurrësLajm" tha se do të rishikohet mundësia e zgjerimit të Urgjencës brenda këtij sezoni.
E sapo emëruar në krye të spitalit Rajonal të Durrësit, mjekja Nadire Kërtusha Jani, parësore të fillimit të punës pati funizimin me barnat dhe preparatet më të nevojshme për Urgjencën kryesore dhe atë Pediatrike. Për shkak të vonesave në tenderimet e barnave në spitalin e Durrësit mungonte pothuajse çdo gjë dhe shënjestër e zemërimit të popullatës ishte vetë personeli.
Ndërkohë Jani ka siguruar se në Urgjencën e të rriturve është bërë furnizimi me preparate dhe asnjë pacient nuk duhet të marrë recetë për t’i blerë ato jashtë spitalit. Në 15 maj repartet e spitalit të Durrsit do të publikojnë në stenda të veçanta të gjithë preparatet dhe listën e barnave që kanë në dispozicion për pacientët, që asnjë mjek të mos abuzojë me dhënien e recetave për pacientët që janë të shtruar në spital.
K.H.





