Kjo grua që shihni në foto, prej 10 ditësh, ka kthyer korridoret e spitalit të Durrësit në strehëzën e saj ku të kalojë natën.
Burime nga bluzat e bardha brenda spitalit rajonal, thonë për “DurrësLajm” se ajo vuan nga turbekulozi. Ajo ka qenë e shtruar te reparti infektiv për më shumë se një muaj, ku dhe është trajtuar disa herë, por nuk ka gjetur shërim. E lënë në mëshirë të fatit, pasi as banesë nuk ka, pas trajtimeve të herëpashershme në spital, përfundon sërish në rrugë.
Por në rrugë nuk mund të kalojë natën, dhe kështu ka menduar që të flejë në korridoret e spitalit.
Shqetësimi është ngritur nga punonjësit e spitalit për “DurrësLajm”, të cilët thonë se për lëmoshë, i japin ushqime e ndonjë veshje kur kanë mundësi. Por kjo është thjesht zgjidhje e përkohshme, dhe ata mbeten në shpresë që ky rast të marrë drejtim sa më shpejt.





