Ngushtimi i dy rrugëve kryesore në Durrës, segmentit nga Mauzoleumi i Dëshmorëve deri te sheshi “Liria” dhe segmenti nga stacioni i trenit deri te hyrja e portit, është bërë pa marrë mendimn e publikut. Të dy segmentet rrugore janë në rikonstruksion e sipër dhe punimet kanë nisur disa javë më parë.
Kreu i këshilltarëve demokratë Armand Teliti, në një prononcim për “DurrësLajm”, tha se e gjithë infrastruktura rrugore në Durrës është në pikë të hallit. “Asgjë nuk po funksionon sepse përmbytemi me shiun më të vogël”.
Teliti e nisi me sheshin “Veliera” duke folur për korrupsion me klientët e bashkisë për të vijuar me ngushtimin e dy rrugëve kryesore. “Rrugët po bllokohen nga trafiku, sepse rrugët po ngushtohen e nuk ka asnjë studim për to. Bulevardi është duke u shkatërruar dhe këto janë investimet e bëra me taksat e durrsakëve”, tha Teliti.
Teliti iu bëri thirrje qytetarëve të ndërgjegjësohen edhe nga ato që sipas tij, janë gënjeshtra të kryeministrit Rama, kur bëhet fjalë për ulje të taksave.
K.H.





