Policia Rrugore në Tiranë ka vijuar punën dhe gjatë 24 orëve të fundit, pasi ka gjobitur më shumë se 200 shoferë, të cilët kanë bërë shkelje të ndryshme.

Mësohet se është arrestuar dhe një person i cili ka tentuar që të korruptojë punonjësin e policisë me 5 mijë lekë. Madjegjatë shoqërimit ka kundërshtuar dhe goditur një punonjës policie.

NJOFTIM I POLICISË

Qarkullonte pa vendosur rripin e sigurimit, arrestohet për korrupsion pasi i ofron 5000 lekë të reja policit për t’ju shmangur OASH-së.

Policia Rrugore e Tiranës, në zbatim të detyrimeve të përcaktuara në Planin Operacional “TISPOL Maj 2018”, nga kontrollet e ushtruara gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë territorin e kryeqytetit në lidhje me identifikimin e mjeteve debitore si dhe shkelje të tjera të legjislacionit rrugor, ka konstatuar dhe ndëshkuar:

• 23 drejtues mjetesh që nga verifikimi rezultuan me detyrime të pashlyera

• 56 drejtues mjetesh për mospërdorim të rripit të sigurisë

• 22 drejtues mjetesh për shkelje të sinjalizimit të ndritshëm (semafor)

• 13 drejtues mjetesh të papajisur me sigurim të detyrueshëm

• 4 drejtues mjetesh për transport pasagjerësh të papajisur me certifikatë transporti profesional

• 6 drejtues mjetesh për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit

• 128 drejtues mjetesh për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor

Gjithashtu nga kontrollet në funksion të Planit Operacional janë evidentuar dhe arrestuar në kushtet e flagrancës 6 drejtues mjetesh nga të cilët:

4 për drejtimi mjeti në gjendje të dehur në masën që varionin nga 0.55 mg/l deri në masën 1.56 mg/l

1 i papajisur me Leje Drejtimi

1 për korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, pasi drejtuesi i mjetit Asllan Gjata, për t’ju shmangur OASH-së, për mos vendosje të rripit të sigurimit, i ofroi 5000 lekë të reja punonjësit të policisë. Gjatë shoqërimit ka kundërshtuar dhe goditur punonjësit e policisë të Komisariatit Nr. 1.