Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit Christian Danielson, ai i BERZH-it në Tiranë Matteo Colangeli dhe zv.ministri i Financave dhe Ekonomisë Erion Luçi firmosën marrëveshjen e grantit për rehabilitimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe degëzimin me Rinasin. 

Kosto totale e projektit vlerësohet në shumën prej 90.45 milionë EUR. Granti i akorduar nga Fondi i Përbashkët Europian i Ballkanit Perëndimor, marrëveshje e cila edhe u firmos nga autoritetet është në shumën prej 35,435,000 Euro. Pjesa tjetër e financimit është përmes një kredie nga BERZH në shumën 36.8 milion euro dhe 16 milion euro financohen nga qeveria shqiptare.

“Sot është dita e Evropës dhe në këtë ditë Bashkimi Evropian mbështet një prej projekteve më të rëndësishme, të parin pas dhjetra vitesh në sektorin e hekurudhave në Shqipëri. Ky projekt do të ndikojë në cilësinë e lëvizjes së qytetarëve midis dy qyteteve më të mëdha të Shqipërisë. Koha që do të nevojitet për të udhëtuar nga qendra e Tiranës drejt Aeroportit Nënë Tereza do të jetë rreth 12 minuta me tren ekspres ndërsa nga qendra e Tiranës deri në qendër të Durrësit do të duhen afro 22 minuta. Projekti pritet të ndikojë gjithashtu në hapjen e shumë fronteve të reja të punës, si gjatë realizimit të punimeve ndërtimore, ashtu edhe gjatë periudhës së operimit të kësaj linje hekurudhore”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Drejtori për zgjerimin në Komisionin Evropian Christian Danielson u shpreh i kënaqur që tanimë me ndihmën e Bashkimit Evropian ky projekt po avancon.

Ministri Gjiknuri tha se po punohet edhe për projekte të tjera në infrastrukturën hekurudhore, si ai për lidhjen e Vorës me Shkodrën dhe Hanin e Hotit drejt Malit të Zi. Ky projekt përveçse rehabiliton linjën e amortizuar nga Vora në Shkodër, do të mundësojë dhe standartizimin e hekurudhës me Malin e Zi, si dhe fokusohet në krijimin e lidhjeve hekurudhore efikase midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Projekt tjetër hekurudhor që është aktualisht në fazën e studimit të fizibilitetit, është Rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës – Pogradec – Lin dhe ndërtimi i linjës së re Lin – kufiri me Maqedoninë (koridori i VIII-të hekurudhor). Qeveria shqiptare po shikon sot mundësinë e lidhjes se rrjetit tonë hekurudhor, me korridorin hekurudhor TEN-T Orient/East Med ne Greqi nëpërmjet Kapshticës dhe Follorinës përkatësisht ne linjën hekurudhore Durrës – Elbasan – Pogradec – Kapshtice – Follorinë Selanik /Athine (Pireu) që lidh portin e Durrësit në Detin Adriatik me portin e Selanikut dhe të Pireut në Athinë, të cilat janë nga portet më të mëdhenj të mallrave në Mesdhe.

Projekti për rehabilitimin e linjës hekurudhore nga Durrësi në Tiranë dhe lidhja hekurudhore me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës është një nga projektet më strategjike dhe të rëndësishme të Qeverisë Shqiptare. Segmenti hekurudhor Tiranë – Durrës dhe lidhja me aeroportin e Rinasit është tashme pjesë e Zgjatimit të Rrjetit Indikativ TEN – T për hekurudhat në Ballkanin Perëndimor: Route 2 – Podgoricë – Durrës / Tiranë. Ky projekt ishte një nga tre projektet fituese në Samitin e Parisit, të mbajtur në korrik 2016, ku konkurronin për fonde të BE/ËBIF (Fondi i Investimit për Ballkanin Perëndimor) projekte nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ky projekt paraqet edhe një risi në lëvizjen e pasagjerëve drejt Aeroportit Nënë Tereza nëpërmjet përdorimit të trenit që do konkurrojë drejtpërsëdrejti me përdorimin e makinave private, duke ndikuar edhe në  përmirësimin e  qarkullimit të makinave në oraret e pikut te levizjes. Projekti realizon me efektivitet të plotë multi-modalitetin e sistemit te transportit ne zonën metropolitane te DURRANA-s. Do të krijohet një sistem transporti i integruar, efikas e funksional ne rrjetin e  infrastrukturës rrugore, Aeroportit Ndërkombëtar te Tiranës dhe Portit i Durrësit si porti më i madh në vend dhe nga më të rëndësishmit në Ballkanin Perëndimor. 

Objektivat kryesore në drejtim të rezultateve lidhen me rehabilitimin e linjës ekzistuese hekurudhore nga stacioni qendror hekurudhor Durrës deri në vendndodhjen e ardhshme të Terminalit të Transportit Publik të Tiranës (PTT) për një gjatësi 34.2 km dhe gjithashtu për të ndërtuar një linjë të re hekurudhore që lidh linjën kryesore me aeroportin e Rinasit (gjatësi 5.7 km). Projekti parashikon gjithashtu ndërtimin e një terminali te ri hekurudhor intermodal në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (TIA), si dhe instalimin e një sistemi të ri sinjalizues dhe telekomunikacioni, të integruar në sistemin e linjës hekurudhore Durrës – Tiranë – Rinas.