Me një ceremoni madhështore dhe një kortezh prej mijëra vetësh është dërguar në banesën e fundit Ndriçim Çupa, punonjësi i policisë së Durrësit që u nda nga jeta mbrëmjen e kaluar.

Me mijëra qytetarë të Durrësit, familjarë por edhe gjithë stafi i policisë morën pjesë në ceremoninë mortore.

Ishin kolegët e tij, atyre të cilëve iu ra barra e rëndë për ta përcjellë në rrugëtimin e fundit Çupën.

Makina ceremoniale shoqërohej nga 6 motorë të policisë së Qarkullimit Rrugor dhe Shërbimit të Patrullave, ndërsa 10 kurora me lule të kolegëve të tij gjendeshin krahas dhjetëra buqetave të tjera.

Kolegët me të cilët ka ndarë punën e tij të përditshme për gati 3 dekada në policinë e Durrësit, së bashku me familjarët pritën ngushëllimin e qindra qytetarëve durrsakë që ishin të pranishëm në funeralin e Çupës.

Polici i qarkullimit, Çimi, siç e njihnin të gjithë, ka lënë mjaft trishtim dhe dëshpërim tek të gjithë ata që e njohën, e ata me të cilët bashkëpunoi.

Shefi i qarkullimit rrugor në Durrës, Valentin Floriri, në një prononcim të shkurtër për DurrësLajm tha se nga policia u shkëput efektivi më i mirë.

“Ishte një punonjës policie model dhe shembull i mirë për të gjithë, Ikja e tij na ka dëshpëruar shumë. Iku në një moshë shumë të re, duke na lënë pas shembullin e mirë të një punonjësi policie. Siç duket zoti e donte për vete. Ne ia bëmë të gjitha nderimet që meritonte, por të përcjellësh në banesën e fundit një koleg e një mik, qenka një dhimbje shumë e madhe”,- tha Floriri.

Aq shumë e deshi Ndriçim Çupën qyteti i Durrësit ku shërbeu rreth 3 dekada, saqë me mijëra e kanë përcjellë dhe i dhanë lamtumirën për në banesën e fundit.

Bashkëshortja dhe djali i policit të ndarë para kohe nga jeta janë të dërrmuar nga humbja e njeriut të tyre të dashur, që u nda nga jeta mbrëmjen e kaluar për shkak të një infarkti.

K.H.