Durrësi “përmbytet” nga francezët. Këtë të enjte, në portin më të madh të vendit ka mbërritur kroçera e parë e sezonit “Bukuroshja e Adriatikut”, me 188 turistë francezë, nga Parisi, Lioni etj.

Kroçera “La Belle de L’Adriatique” u ankorua rreth orës 7:00 të mëngjesit në kalatën 4 të portit. Lundrimi i saj ka nisur në portet e Ajaccios dhe Bonifacios (Francë) për të vijuar në Palermo, Olbia dhe Bari (Itali).

Me të zbritur në Durrës, turistët kanë shëtitur në këmbë për t’u njohur sadopak me historinë dhe arkeologjinë e qytetit tonë. Në një prononcim për gazetaren e “DurrësLajm”, ata thonë që iu pëlqen Durrësi dhe do dëshironin që ta vizitonin sërish Shqipërinë në një herë të dytë.

Kroçera ka 188 turistë francezë në bord, të cilët do të udhëtojnë më pas me autobusë turistikë drejt qyteteve të Krujës, Tiranës dhe Beratit, ndërsa një pjesë do të vijojnë turin në qendrat arkeologjike dhe historike të qytetit bregdetar.

Sot rreth orës 18:00, anija do të vijojë lundrimin drejt portit të Dobrovnikut.

“La Belle de L’Adriatique” është anija e parë turistike e vitit, ndërsa kroçera “Berlin” do të jetë e fundit dhe pritet të mbërrijë në fund të muajit tetor të këtij viti.

Ndiqni pamjet e turistëve nga qendra e Durrësit dhe përshtypjet e tyre të para për vendin tonë!