Katër titullarë të drejtorive në varësi të Bashkisë së Durrësit kanë deklaruar të prerë, heqjen e të gjithë objekteve që kanë zaptuar shëtitoren "Taulantia" në Durrës.
Policia Bashkiake e mbëshetur nga Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik, Drejtoria e Mirëmbajtjes së Rrugëve dhe Ndërrmarrja e Shërbimit Komunal, e kanë nisur aksionin e lirimit të hapësirave publike për qytetarët nga sheshi Sfinksi, me largimin e të gjitha tavolinave të vendosura në trotuarë nga ana e pronarëve të lokaleve aty pranë.
Vasip Çopa, kreu i Policisë Bashkiake, deklaroi se ka një numër të madh ankesash nga ana e qytetarëve të Durrësit për zënien e shëtitores e të rrugëkalimeve të destinuara për qytetarët, që kanë ndërruar adresë, nga zaptuesit e paligjshëm.
Çopa tha se ankesat kanë të bëjnë me ndotjen akustike që vjen nga lodrat çdo sezon veror.
Aljon Hysko, Drejtori i Mirëmbajtes së Rrugëve ju bëri apel subjekteve të internetit apo telefonisë të ndërhyjnë sepse do të heqë çdo tel e kabull nga shëtitorja, të cilat janë bërë si rrjetë merimange.
Ardian Halili, kreu i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik në daljen e parë publike tha se qëllimi është që të largohen lodrat nga sheshi, të cilat janë bërë burim shqetësimi.
Edhe Shpëtim Hidri i Ndërrmarrjes Komunale tregoi mbështetje për aksionin.
Në shëtitoren bregdetare në Durrës nuk kishte mbetur asnjë hapsirë e lirë. Në një krah pronarët e lokaleve i shtrinin tavolinat e karriget deri në trotuar. Në krahun tjetër tezgat me lloj-lloj ambulantësh që kishin zënë trotuaret.
E si të mos mjaftonte zënia e hapësirave, lodrat e vendosura në pjesën më të madhe të sheshit lëshonin muzikë me zë të lartë në garë se kush do të vendoste zërin me të lartë e më të fortë.
Vendosja e lodrave, ambulantëve, karrigeve e tavolinat si dhe vazot e luleve që ndajnë kufijtë e lokaleve, ju kishin rrëmbyer jo vetëm qetësinë atyre që i drejtoheshin detit por ishte bërë pengesë për banorët e zonës.
Aksioni javës tjetër do të vijojë në plazhin e madhe të Durrësit, Shkëmbi i Kavajës dhe Gjiri i Lalëzit.
K.H.





