Policia e Durrësit ka shpërndarë inspektorët e krimeve në hotelet e Durrësit për të verifikuar se në cilin hotel fjeti për 5 ditë me radhë kosovari Xhafer Osmani.

Kur ka ardhur në Shqipëri, 61-vjeçari ka qëndruar në Durrës.

Inspektorët e krimeve po punojnë për të identifikuar skenarin e krimit që mund të ketë zanafillën në Durrës. Dyshohet se 61-vjeçari është rrëmbyer në Durrës, është torturuar e vrarë, e më pas është djegur në fshatin Derven të Krujës ku dhe u gjet.

Sot pritet të dalë ekspertiza mjeko-ligjore, që është kryer me shpejtësi të madhe nga ana e institutit të mjekësisë ligjore, e cila pritet të hedhë më shumë dritë e të dhëna se çfarë ka ngjarë me 61-vjeçarin, thanë burimet për “DurrësLajm”.

Të njëjtat burime kanë saktësuar se, kosovari nuk ka pasur një lidhje të presupozuar në media. Ai ka qenë beqar, dhe për të kryer procedurat ka mbërritur vëllai i tij nga Kosova.

Burimet e policisë thanë se nëse do të kishte një të dashur, do të ishte më e lehtë për të gjetur të dhëna në lidhje me konfliktet e mundshme që mund të ketë pasur viktima, raporton “DurrësLajm”.

Sipas të njëjtave burime, vrasja e 61-vjeçarit i ngjan asaj me Isa Çopën, ish-shefin i shërbimit të vrarë në 2013-n, por në rastin konkret ka më shumë të dhëna edhe më shumë prova në vendngjarje.