Në kuadër të fushatës së llogaridhënies publike që ka ndërmarrë qeveria shqiptare më të gjitha bashkitë e vendit dhe drejtuesit e institucioneve, dje pasdite është zhvilluar takimi i radhës për qytetin e Durrësit. Në mjediset e pallatit të kulturës kanë qenë të pranishëm ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, kryetari i bashkisë Durrës Vangjush Dako, drejtues të institucioneve si dhe qytetarë të ndryshëm.
Llogaridhënia publike ka marrë shkas nga kontrata e performancës midis ministrisë dhe bashkive për të parë dhe diskutuar punët që janë bërë në lidhje me reformat e ndryshme që ka shpalosur për këtë vit qeveria shqiptare. Një nga reformat më të rëndësishme është ajo e ujit të pijshëm, e promovuar që në muajin nëntor të vitit të kaluar, por që nisi zbatimin në terren më 1 shkurt të këtij viti. Në lidhje me këtë reformë, në një takim të zgjeruar në kryeministri në prani të krerëve të bashkive të vendit, Ujësjellës Kanalizime Durrës është renditur në vend të parë si ndërmarrja me performancën më të mirë që nga momenti i vënies në zbatim të reformës në fjalë.
Ky fakt është përmendur nga ministri Gjiknuri në takimin me qytetarët e Durrësit, duke shtuar se ai drejtues ndërmarrje apo kryetar i bashkisë që ka sukses në zbatimin e reformave do të marrë fonde dhe investime nga qeveria, në të kundërt ne nuk mund të ndihmojmë bashkitë që nuk kanë tregues pozitive.
Gjiknuri tha se me kënaqësi konstatojmë se Ujësjellësi i Durrësit u rendit në vend të parë për këtë 3-mujor që nga dita që nisi aksioni. Kjo do të thotë se është treguar përgjegjshmëri nga ana e ndërmarrjes dhe drejtuesve të saj dhe kjo gjë do të shpërblehet.
Gjiknuri iu është përgjigjur edhe ankesave të qytetarëve të pranishëm në lidhje me problemin e ujërave të zeza në Porto Romano. Ai u shpreh se ka një prioritet të caktuar qeveria në lidhje me investimet për kanalizimet e ujërave të zeza dhe ujin e pijshëm, pasi këto kërkojnë shumë fonde dhe ne nuk kemi buxhet pa fund. Në Durrës kemi aktualisht një sistem modern kanalizimesh në Plazh, tani po investojmë brenda në qytet dhe më pas do ta ketë radhën periferia.





