Me rastin e vitit të Skënderbeut, komuniteti arbëresh në Itali është bërë pjesë e festimeve qe po zhvillohen në Durrës.

Nje delegacion i përbërë nga rreth 50 vetë, shoqëruar nga kryetarët e komunave arbëreshe në Itali, Casalvecchio dhe Chieuti, të veshur me kostume popullore dhe duke kënduar këngë të vjetra shqip, kanë zgjedhur të bëhen pjesë e festimeve dy ditore, organizuar në qytetin e Durrësit.

Hapja e aktiviteteve dy ditore është bërë në sallën e këshillit bashkiak. Kënga simbol që tregon ruajtjen e vlerave shqiptare prej arbëreshëve të Italisë, "O e bukura More…", dorëshkrimi i të cilës për herë të parë u gjet në vitin 1708 çeli siparin e ceremonisë.

Mesazh sa të bukur aq dhe me vlerë ka shprehur dhe Mirela Buda, e cila tha se vjen për herë të parë në Shqipëri, por kjo nuk e ka penguar të flasë shqip dhe të ruajë brez pas brezi traditat shqiptare.

Kryetarët e komunave arbëreshe në Itali, Chasalvecchio dhe Chieutti, janë shprehur se të tilla aktivitete të përbashkëta të bëhen edhe më të shpeshta, me qëllim ruajtjen e traditave dhe njohjen me zhvillimet e mëtejshme të kulturës shqiptare.

Më pas festa, do të vazhdojë në Kepin e Rodonit, ku do të zhvillohen një sërë aktivitetesh artistike të shtunën dhe të dielën. Në këto dy ditë feste, grupe folklorike që do të përfaqësojnë çdo trevë shqiptare brenda Shqipërisë, Kosovës, arbëreshët e Italisë, shqiptarët në Malin e Zi, Maqedoni, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kudo tjetër të ndodhur, do të ekspozojnë, mes këngëve e valleve tradicionale, vlerat kulturore të ruajtura ndër vite.

K.H.