Gjatë ndalesës në Durrës, në kuadër të turit të llogaridhënies publike të qeverisë “Puna për Shqipërinë që Duam”, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri u ndal tek investimet e kryera në qytetin bregdetar në fushën e infrastrukturës dhe energjisë ashtu sikurse projektet e ardhshme.

Por ndërsa infrastruktura rrugore në disa akse kryesore si Durrës-Shijak, Plepa-Ndroq etj është tërësisht e amortizuar, madje banorët e këtyre zonave janë hedhur edhe në protestë, ministri nuk ka thënë asnjë fjalë që mund të hapte dritën jeshile për investime në të ardhmen.

“Kemi investuar në ujësjellës-kanalizime, një projekt që është drejt përfundimit dhe po ecën me ritme të mira. Është një investim i madh pasi janë dhjetra miliona euro dhe rrjeti i ujësjellës-kanalizimeve në Durrës po përmirësohet në mënyrë radikale. Me investimet e reja të bëra nga OSHEE-ja cilësia e furnizimit me energji gjithashtu është përmirësuar. A kemi shkuar aty ku duhet? Jo, por mos harrojmë se para 4 vitesh sistemi energjetik ishte i gjithi në kolaps dhe hante paratë e buxhetit për të mbajtur dritat ndezur”, nënvizoi Gjiknuri.

Ai më tej u ndal tek investimet në Portin e Durrësit ashtu sikurse projektin e hekurudhës Tiranë-Durrës-Rinas.

“Shumë shpejt do të fillojë thellimi i Portit të Durrësit. Do të thotë se do vijnë anije edhe më të mëdha për të patur më shumë përpunim e më shumë punë, më shumë të ardhura për qytetarët e Durrësit dhe ekonominë kombëtare. Shumë shpejt nis dhe projekti i lidhjes së Tiranës dhe Durrësit me hekurudhë moderne. Pak nga pak Tirana dhe Durrësi po kthehen në një qytet të madh të përbashkët. Hekurudha do jetë në gjendje funksionale për 2 vjet”, theksoi Gjiknuri.