Nga G. Daçi

Aktiviteti fizik është shumë i domosdoshëm për përmirësimin e shëndetit të njeriut si dhe zvogëlon rrezikun për sëmundjet kronike.

Përpos kësaj, një trup i ushtruar, me përmasat e duhura, është edhe mjaft i bukur e tërheqës, ndaj dhe shumë individë lidhen fort pas aktivitetit fizik në natyrë, kushte shtëpie apo palestër përgjatë gjithë vitit. 

E nuk mungojnë sigurisht edhe ata që i trazon ardhja e verës dhe i drejtohen palestrës për të krijuar ato muskujt që kanë ëndërruar teksa kanë konsumuar çfarëdo lloj ushqimi.

Por sa e njohin durrsakët dobinë që sjell aktiviteti fizik dhe sa e frekuentojnë ata palestrën? Këtë dhe shumë të tjera, "DurrësLajm" i sjell në këtë artikull të realizuar me instruktorin e njohur në qytetin e Durrësit, Ani Dedja.

Dedja prej vitit 2010 është instruktor i "Ani Gym" një prej palestrave më në zë të qytetit, e cila frekuentohet edhe nga personazhe VIP. Me një eksperiencë 10-vjeçare si instruktor dhe trajner personal për njerëz të njohur dhe jo vetëm, në Durrës, si një sukses të Dedes mund të përmendim ndryshimin fizik që ka pësuar kreu i FSHF-së, Armando Duka, në pak kohë.

"Duhet theksuar: "Sa më shumë të punojnë makinat mekanike, aq më shumë ato vjetrohen". Ndërsa për qënien njerëzore është e kundërta, domethënë kur njeriu lëviz shumë dhe në mënyrë të studiuar, ai do mënjanojë shumë sëmundje gjatë jetës së tij dhe do të gëzojë shëndet të plotë e do të jetojë shumë më gjatë."

Kështu e nis intervistën instruktori Dedja duke e përcjellë më së miri mesazhin për ata që janë ende në mëdyshje, për të vijuar me lidhjen e durrsakëve me aktivitetin fizik e palestrën e të mirat që sjellin.

Instruktori i njohur jep këshilla të vlefshme për stërvitjen gjatë verës, ushtrimet në ambiente shtëpie, për gratë shtatzëna dhe shumë gjëra të tjera që do t'i zbuloni më poshtë!

Sa të interesuar janë durrsakët të frekuentojnë ambientet e palestrës?

Durrsakët janë qytetarë me kulturë bashkëkohore dhe ata e njohin mirë dobinë që sjell levizja fizike në shëndetin personal. Për këtë arsye durrsakët e shfrytëzojnë rregullisht detin, por tashmë ata kanë rritur interesin e po angazhohen intensivisht edhe me lëvizjen fizike në palestër, për zhvillimin e forcës së muskujve të trupit e të gjymtyrëve. 

Dobitë e palestrës, si ndikon në shëndet?

Aktivizime të tilla fiziko-lëvizore zhvillojnë sistemin kardiak, respirator, vaskular dhe sistemin lëvizor të individit. Këto aktivizime, të personalizuara, djegin shumë kalori, zvoglojnë peshën  e tepërt dhjamore, rrisin forcën e muskujve të trupit e shpejtësinë e levizjeve vetiake dhe krijojnë mbrojtje kundrejt sëmundjeve të zemrës, infarktit, mbitensionit, gurët në tëmth, diabetit, osteoporozes, etj, e gjithashtu paksojnë stresin dhe rrisin gëzimin për jetën. 

Në cilën periudhë zgjedhin të fillojnë të ushtrohen?

Në palestrën që unë drejtoj, ka shumë persona që aktivizohen rregullisht gjatë gjithë vitit, por ka edhe individë që fillojnë të stërviten 2 muaj para fillimit të sezonit të plazhit. 

Cila është mosha mesatare e personave që frekuentojnë më së shumti palestrën dhe çfarë programi përdorni?

Në palestrën që unë drejtoj stërviten persona me moshë të ndryshme, duke filluar nga 18 vjeç dhe deri në moshën mbi 60 vjeç. Ne bëjmë kujdes dhe hartojmë program të personalizuar për secilin praktikant, duke i zgjedhur ushtrimet e përshtatshme dhe i mësojmë secilit teknikën e zhvillimit të ushtrimeve, pasi përndryshe do lindin trauma dhe pasoja të rënda në shëndetin e tyre.

Po mosha ideale? 

Mosha ideale për tu stërvitur në palestër është mosha 16 vjeç dhe mosha deri mbi 85 vjeç. Ndërsa mosha ideale për tu stërvitur me aktivitete lëvizore-argëtuese është mosha 2 deri në 6 vjeç dhe pastaj vijon çdo gjë shkëlqyeshëm pasi ata fëmijë lidhen përgjithmonë me aktivitetin fiziko-sportiv dhe bëhen shumë të shëndetshëm fizikisht, mendërisht, ekonomikisht dhe humane, domethëne formohen si qytetarë plotësisht të vërtetë. 

Sa orë dhe ditë/javë është e rekomandueshme palestra?

Stërvitja e qytetarëve në palestër, është e lidhur me qëlimin që ka praktikanti. Unë rekomandoj që individi duhet të stërvitet 3 herë në javë, në ditë të alternuara dhe me kohëzgjatje 60- 90 minuta, gjatë gjithë vitit. Dua të theksoj se ata që janë të apasionuar për Bady-billding dhe sportistët profesionistë kanë programime të tjera, natyrisht edhe nën një kontroll më të kujdesshëm mjekësor.

Dominojnë meshkujt apo femrat dhe synojnë të shtojnë apo humbasin peshë?

Palestrën që unë e drejtoj, si numër e frekuentojnë njësoj, si femrat ashtu edhe meshkujt. Pothuajse të gjithë synojnë të paksojnë peshën dhjamore të trupit dhe të rrisin peshën muskulore të trupit.

Çfarë do të iu rekomandoje njerëzve në lidhje me aktivitetin fizik gjatë verës?

Rekomandimet e mija për stërvitjen gjatë verës synojnë ecje-rendje në pistën rrotulluese, ushtrime për zhvillimin e fleksibilitetit dhe përdorimin e veglave të palestrës, por të personalizuara për çdo individ dhe sidomos zhvillimin e ushtrimeve për fuqizimin e muskujve adominale. 

Cilat ushtrime mund të zhvillohen në kushte shtëpie?

Përsa i përket ushtrimeve që duhen zhvilluar në kushte shtëpie, unë rekomandoj që të bëhen ushtrime për zhvillimin e fleksibilitetit te trupit. Psh: lëvizje rrotulluese të belit, rrotullime të pjesës së sipërme të trungut, përkulje anësore, majtas-djathtas të pjesës së sipërme të trungut, duke mbajtur këmbët e fiksuara; rreth-rrotullime të krahëve; ushtrime të thjeshta për zhvillimin e forcës muskulore, si psh duke përdorur girat me peshë 2-3 kg për fuqizimin e muskujve të krahëve, gjoksit dhe shpinës; ushtrime të thjeshta me kaviljere (pesha te vogla 1,5-2 kg) për fuqizimin e muskujve të këmbëve dhe të vitheve; ushtrime për fuqizimin e muskujve adominale. Do kishte vlerë të madhe që secili të përdorte edhe një pistë rrotulluese për të bërë ecje-rendje, pasi të ketë ajrosur dhomën.

Ushqimi para dhe pas, si këshillohet?

Ushqimi para stërvitjes në palestër duhet të përqëndrohet në konsumin e karbohidrateve; gjatë palestrës të konsumohet ujë; ndërsa direkt pas stërvitjes në palestër duhen konsumuar fruta psh. 1 banane dhe 1 portokall, apo komposto kumbulle, etj. Është e domosdoshme që pas 1,5 ore që është përfunduar stërvitja në palestër, nevojitet të hahet ushqim që përmban një sasi të konsiderueshme proteinash, psh peshk, pasi është e domosdoshme të rrisim masën muskulore. Por theksoj se të ushqyerit është kompetencë e dietologut dhe kërkon konsultë me vetë atë. 

Po për gratë shtatzëna, a këshillohet të frekuentojnë palestën, nëse po çfarë ushtrimesh duhet të bëjnë?

Stërvitja e grave gjatë shtatzënisë, është shumë e dobishme. Studimet evidentojnë se një nënë që stërvitet gjatë shtatzënise, lind fëmijë që bëhen shumë më të zgjuar dhe shumë më "sportist".

Stërvitja e grave gjatë shtatzënisë mund të bëhet fare mirë në palestër. Programi i stërvitjes është shumë specifik dhe kërkon të zbatohen procedura të përshtatshme. Kryesisht programi bazohet mbi zhvillimin muskulor, duke përdorur ushtrime specifike me pesha të lehta, siç janë girat. Por për këtë temë shumë të rëndësishme, së pari është e nevojshme të mbajmë një seminar teorik për të rritur kulturën qytetare e për të thithur vëmendjen e të gjithëve dhe në vijim mund të bëjmë edhe ushtrimet konkrete, në praktike.