Qyteti i Durrësit është kthyer në kryeqytetin e turistëve të huaj këtë fillim pranvere. Me qindra turistë nga shumë vende të Botës kanë mbërritur e kanë shprehur interes për sajtet arkeologjike të Durrësit.
Qindra turistë kryesisht anglezë e skandinavë kanë vizituar qytetin këto ditë tek turet e tyre pranverore. Turistët kanë mbërritur në rrugë ajrore e tokësore duke përfshirë në guidat e tyre turistike vizitat në sajtet arkeologjike të Durrësit si destinacionin në qytetin tonë.
Vizitat janë një ditore, sepse turistët që mbërrijnë me autobusë, në ditët e tjera vizitojnë kryesisht jugun e Shqipërisë duke u ndalur në Sarandë e në parkun arkeologjik të Butrintit.
Në Durrës, pjesë e guidës janë vizitat në ansamblin arkeologjik që ofron qendra e qytetit, ku përfshihen amfiteatri, Rotonda mesjetare, banjat romake në themelet e pallatit të kulturës. Ata njihen nga ciceronët e agjencive me pasurinë arkeologjike.
Durrësi është frekuentuar masivisht edhe nga qindra mijëra turistë të huaj çdo vit me anë te kroçerave. Ata konsiderohen pushues ditorë dhe janë shumë të interesuar të vizitojnë vlerat historiko-kulturore të qytetit dhe kryesisht objektet historike. Këtë vit, priten në Durrës 15 kroçera dhe veliera. Sezoni i kroçerave pritet të hapet më 9 maj me mbërritjen e kroçerës së parë për këtë pranverë.
K.H.





