Rreth 2 javë pasi drejtori i spitalit rajonal të Durrësit Alban Ramohitaj dha dorëheqjen e parevokueshme, emërohet drejtoresha e re e spitalit, mjekja Nadire Kërtusha (Jani).

Për DurrësLajm, mjekja e njohur konfirmon se ka nisur zyrtarisht punën që nga dita e sotme, ndërkohë që prezantimi i saj nga ana e Ministrja e Shëndetësisë apo ndonjë funksionar tjetër i dikasterit në fjalë pritet të bëhet në ditët në vijim.

Kujtojmë se mjekja Jani u rendit e dyta në konkursin e zhvilluar mes 4 kandidatëve në garë për postin e kreut të spitalit rajonal të Durrësit, të zhvilluar nga dikasteri përkatës. Pas dorëheqjes së Ramohitajt, automatikisht posti i drejtorit duhet t'i kalonte kandidatit të renditur një vend më poshtë.

Deri më tani, mjekja Nadire Kërtusha mbante postin e shefes së repartit infektiv në këtë spital.

Në të njëjtën kohë, mjekja Kërtusha është edhe anëtare e Këshillit Bashkiak të Durrësit nga rradhët e Partisë Socialiste.