Zv/ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli, ka bërë të ditur se hekurudha e re Tiranë-Durrës, që do të ketë një degë të re për lidhjen me Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, planifikohet të jetë gati në vitin 2021.
“Projekti ka përfunduar, është hapur tenderi, i cili do të përcaktojë edhe firmën që do të realizojë këtë hekurudhë. Bëhet fjalë për hekurudhën Tiranë-Durrës, hekurudha e parë e ndërtuar në vend dhe e para që do të vijë në standardet e reja. Mendohet që Tiranë-Rinas të mos kalojë 13-14 minuta me lidhjen e re”, u shpreh këtë të mërkurë Shkreli, teksa foli për disa prej projekteve madhore infrastrukturore që do të prekin Tiranën.
“Risia që doja t’ju thosha është se do të ndërtohet edhe Stacioni Intermodal, pak a shumë pranë spitalit Hygea, i cili do të funksionojë edhe si një stacion hekurudhor në rang Shqipërie, edhe për linjat që do të lidhen me Malin e Zi, Maqedoninë dhe Greqinë. Do të jetë edhe një stacion për autobusët që do të shpërndahen në të gjithë Shqipërinë”, tha Shkreli.
Zv/ministri shtoi se gjurma e stacionit hekurudhor do të rikthehet në qendër të Tiranës, në Bulevardin e Ri, ku do të ngrihet një terminal pasagjerësh.
“Besoj që shumë shpejt ne do të shikojmë frytet e këtyre planeve, ndërsa në Qershor të vitit 2021 do të fillojë funksionimi i hekurudhës së re shqiptare.”





