Një tjetër gjyqtar do të kalojë në ‘sitën’ e vettingut. Në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, më 7 maj do të jetë seanca dëgjimore për gjyqtarin Fatmir Hoxha.
Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese do të dalë para trupës gjykuese e cila do të përbëhet nga Xhensila Pine, Valbona Sanxhaktari, Alma Faskaj, në orën 11:00 të së hënës së javës së ardhshme.
Ndërkohë që procesi i vettingut ka nisur të japë rezultatet e para prej disa javësh, më shumë se gjysma e gjyqtarëve të larguar tashmë nga sistemi, kanë vendosur të dorëhiqen nga detyra para se ti nënshtrohen kontrollit.
Nga nëntë gjyqtarë që nuk janë më pjesë e sistemit të drejtësisë, shtatë kanë dhënë dorëheqjen me qëllim që të mos i nënshtrohen vettingut. Nga radhët e prokurorëve deri tani numërohen vetëm dy të larguar, njëri me shkarkim nga KPK dhe tjetri me dorëheqje për shkak të daljes në pension.





