Me rrugët në Durrës çdokush mund të bëjë ç’të dojë e sa herë të dojë. Me ligjin përballesh në çdo rast edhe sikur të rregullosh avllinë e prishur pa marrë leje, ndërsa për rrugët secili është në qejf të vet e bën ç’të dojë.

Rrugët në Durrës vijojnë të hapen sa herë që dikujt i shkrep në mendje një gjë e tillë, nëse do të ndryshojë tubin e ujit apo të internetit. Sa herë që shohin se tubi ekzistues u është bllokuar, sa herë që u shkrep në mendje se i duhet një linjë e re uji apo dhe ndonjë gjë tjetër, çahet rruga. Më lehtë është të hapësh rrugën mes e për mes, sesa të blesh tubat që nevojiten.

Operatori i DurrësLajm sjell dëmtimet e fundit të bëra në asfaltin e rrugës “Taulantia”. Subjekte private dhe individë vazhdojnë të çajnë rrugën dhe asnjë prej tyre nuk e kthen më në gjendjen e mëparshme. Qeverisja vendore ka “rënë” me rrugët në Durrës. Edhe drejtuesit e tyre kalojnë nëpër këto kanale të hapura ashtu si të gjithë qytetarët dhe turistët që kanë bujtur këtë fillim sezoni.

K.H.