Pas denoncimit të bërë nga qytetari dixhital e të publikuar nga ish-kryeministri Berisha për një ngjarje të rëndë të regjistruar në fshatin Shkozë të Thumanës, ku një i mitur 6-vjeçar është përdhunuar në datë 28 prill, ka reaguar edhe Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit.
Në mesazhin që ka publikuar Berisha thuhet se personi që ka përdhunuar të miturin është një i afërmi i kreut të Bashkisë të Krujës, Artur Bushi. Kryebashkiaku Bushi, sipas Berishës, po mundohet që të fshehë ngjarjen.
Po ndërkohë, policia e Durrësit bën të ditur se lidhur me rastin është bërë publikimi i ngjarjes në faqen e internetit të Policisë së Shtetit, ndërkohë që personi i akuzuar është arrestuar.
"Më datë 29.04.2018, u arrestua në flagrancë shtetasi D.T vjeç 34, banues Kodër Thumanë bazuar ne nenin 100 i Kodit Penal", njofton policia në komunikatën e ditës së diel.
Njoftimi i policisë:
Sqarim
Në lidhje me një lajm të publikuar në media, me pretendimin se Komisariati i Policisë Krujë ka fshehur ngjarjen ju sqarojmë se:
Rasti që është trajtuar në media që bën fjalë për një shtetas, i cili dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një të mitur, ju informojmë se autori i dyshuar shtetasi D.T, është arrestuar.
Policia nuk e ka fshehur si ngjarje, e ka publikuar si lajm në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit pa dhënë më tepër detaje, me qëllim për të ruajtur dhe mos cënuar të drejtat e fëmijës.
Neni përkatës tregon edhe veprën penale që dyshohet se ka kryer shtetasi i arrestuar.
Vijojnë hetimet dhe pritet akti i ekspertit mjeko-ligjor në zbardhjen e plotë të saj.
Duke ju falenderuar për bashkëpunimin!





