Sheshi “Veliera” e ka irrituar mjaft kreun e bashkisë së Durrësit, Vangjush Dakon. 2 muaj nga dhënia e vendimit dhe para hapjes së sezonit veror, Dako tha se gjykatësi i Gjykatës Administrative, Ergys Gashi, nuk ka dorëzuar ende dosjen e procesit “Veliera” pavarësisht se janë bërë dy muaj nga përfundimi i gjyqit.
Kryebashkiaku është tejet i irrituar me pengimin që i bëhet projektit “Veliera”, tashmë me zvarritjen e vendimit nga ana e gjyqësorit.
"Ky gjyqtar, mund të them i papërgjegjshëm ka 52 ditë që i ka kaluar afati, që është vetëm 6 ditë, dhe e mban në sirtar e nuk e dorëzon dosjen", thotë Dako për DurrësLajm.
Sheshi “Veliera” prej rreth 1 vit e gjysëm ka mbetur një gërmadhë e hapur në zemër të Durrësit, pranë portit detar e Torrës Veneciane. Investimi prej 6 milionë dollarësh është ndërprerë në mes dhe në fillim të sezonit turistik interesi i të gjithë durrsakëve dhe biznesit është t’i jepet një zgjidhje përfundimtare këtij sheshi, i cili prezanton Durrësin 3 mijë vjeçar, me çdo turist që hyn në qytetin port. Pak ditë më parë, për DurrësLajm edhe Drejtori i Institutit të Arkeologjisë, Luan Përzhita tha Durrësi është çelësi i portës së historisë dhe arkeologjisë shqiptare, si një prej qyteteve i cili daton 3 mijë vjet më parë.
“Instituti i Arkeologjisë e ka dhënë fjalën e tij të fundit, të gjitha zbulimet arkeologjike në këtë shesh pranë Torrës Veneciane duhet të ruhen e të bëhen të vizitueshme për vizitorët”,- tha Përzhita.
K.H.





