Përshkallëzimi i tensioneve mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara po reflektohet gjerësisht edhe në Ballkan, ku pjesa më e madhe e vendeve, pavarësisht mundësive financiare të kufizuara po përgatiten për më të keqen.

Serbia, Rumania, Bullgaria dhe Greqia (që “hallin” më të madh e ka më Turqinë), po rinovojnë armatimet e tyre, kryesisht të përqendruar tek flota ajrore.

“Lojën” e hapi Serbia, fillimisht me një numër avionësh që Beogradit iu dhuruan nga Rusia dhe më pas me blerjen edhe të disa sistemeve më të avancuara shumëfunksionale. Bëhet fjalë për sistemet e mbrojtjes anti-ajrore, S-300, gjenerata paraardhëse e të famshmit S-400, prodhimi rus që cilësohet si më efektivi në botë.

S-300 dhe gjashtë avionë MiG-29, Serbia i bleu në nëntor të 2017 nga Bjellorusia, ndërkohë që Rusia i dhuroi më vonë nëntë avionë të tjerë po të të njëjti lloj. Në atë kohë, Moska i premtoi Beogradit edhe dërgimin e 30 tankeve dhe 30 automjeteve të tjera të blinduara si dhuratë, por nuk ka informacion nëse këto mjete kanë mbërritur apo jo.

Kroacia nga ana tjetër është drejtuar në lindje për të rinovuar flotën e saj ajrore. Zagrebi nënshkroi që në 2013 një kontratë me Izraelin për 12 avionë F-16, për një vlerë totale prej 500 milionë dollarë, të paktën sipas të dhënave zyrtare të publikuara në atë kohë.

Por nuk u mjaftua me kaq! Ministria kroate e Mbrojtjes njoftoi në mars të këtij viti se ka pranua ofertën e Izraelit për të blerë një numër të papërcaktuar avionësh luftarakë shumëfunksionalë, për një vlerë që nuk bëhet publike.

Po në mars të këtij viti edhe Bullgaria u hodh në tregun e armatimit. Ministria e Mbrojtjes hapi një tender ku pret ofertat më të mira për avionët “të përdorur” F-16 amerikanë, apo Saab Jas 39 Gripen suedezë, Typhoon britanikë dhe Mirage francezë.

Avionët, thotë Sofja zyrtare, do të përdoren për të zëvendësuar flotën ajrore të amortizuar sovjetike. Fondi i vendosur për këtë qëllim, por edhe për blerjen e mjeteve tokësore të blinduara është 946 milionë dollarë.

Edhe Maqedonia fqinje është angazhuar “me sa mundësi ka” për t’u armatosur. Në 2017, Shkupi disa helikopterë transporti dhe luftarakë. Po ashtu u morën edhe një sërë mjetesh të blinduara tokësore.

Më shumë nga të gjitha vendet e Ballkanit ka shpenzuar Greqia, e nxitur edhe nga ashpërsimi i tensioneve me Turqinë. Athina planifikon që brenda pak vitesh të fuqizohet me një flotë F-16 të blerë direkt nga Shtetet e Bashkuara, në një operacion që do t’i kushtojë 2.4 miliardë dollarë.

Lëvizja e Qeverisë greke u kritikua brenda dhe jashtë vendit, pasi mbërrin në një kohë kur vendi s’e ka marrë veten nga kriza e thellë financiare dhe ekonomike që e ka kapluar që prej 2008. Por, vetë Alexis Tsipras e mbrojti këtë blerje në Parlamentin vendas. Ai tha se me këtë shumë vendi garanton sigurinë dhe sovranitetin territoral për vitet në vazhdim dhe nuk cenohen xhepat e qytetarëve.

Vetë Turqia nga ana tjetër ka investuar ndër vite në flotën e saj ajrore, tanke dhe sistemet e mbrojtjes anti-ajrore. Ankaraja, anëtare e NATO-s, ka nënshkruar së fundmi një marrëveshje me Rusinë për blerjen e sistemeve antiraketë S-400, një lëvizje e kritikuar nga SHBA, që thotë se këto sisteme nuk përmbushin parametrat e Aleancës.

Rumania nga ana tjetër u përfshi në bisedime për të blerë 36 avionë F-16 direkt nga Shtetet e Bashkuara. Në shtator të 2017, mediat vendase raportuan se tre të tillë u blenë, ndërkohë që në 2016 mori 9 avionë luftarakë të të njëjtit model nga Portugalia.

Për 2017, Bukureshti shpenzoi 1.07 miliardë euro për ushtrinë, ndërsa që nga maji i 2016-s mban edhe mburojën e NATO-s kundër raketave ballistike, të vendosur në pjesën jug-perëndimore të rajonit Deveselu. /TCH