Në Durrës po zhvillohet kampionati botëror i shahut. Për herë të parë, 400 shahistë nga mbarë bota, kanë zbarkuar në qytetin bregdetar për të garuar në lojën e bukur të shahut, në “Kampionatin Botëror të Shkollave”.
Sipas organizatorëve të këtij evenimenti sportiv, 400 shahistë të vegjël dhe rinj nga 40 vende të botës janë bërë pjesë e Kampionatit Botëror të Shahut në shkolla, 88 prej tyre vijnë nga qytete të ndryshme të vendit tonë.
Shahistët, djem dhe vajza të moshave nga 6-17 vjeç, po ndeshen në 6 kategori të ndryshme moshash, në 9 ture radhazi, që do të përfundojnë më 29 prill. Mailinda Bilinci, sekretare e përgjithshme e Federatës Shqiptare të Shahut, njëkohësisht dhe menaxhere e kampionatit botëror, tregon për mbarëvajtjen e evenimentit, ndërsa thekson se kemi dy-tri nxënës shqiptarë, të cilët realisht mund të prodhojnë rezultate të kënaqshme në këtë event ndërkombëtar.
Durrësi është mikpritësi i shahistëve midis datave 20-29 prill 2018, në këtë aktivitet të organizuar nga Federata Shqiptare e Shahut, nën përkujdesjen e FIDE (Federata Botërore e Shahut), Qeverisë Shqiptare dhe Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Koncepti i një Kampionati Botëror të Shahut, filloi të shfaqej në gjysmën e parë të shekullit të XIX-të, ndërsa fraza “kampioni i botës”, u shfaq në vitin 1845. Kampionati botëror, zyrtarisht mendohet të ketë filluar në vitin 1886, kur të dy lojtarët kryesor në Evropë, dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Johann Zukertort dhe Ëilhelm Steinitz, respektivisht janë përballur në një lojë.
K.H.





