Në sallën e këshillit bashkiak të Durrësit u zhvillua workshopi me temë: "Të veprojmë së bashku në formimin e politikave rinore në nivel lokal dhe qëndror nëpërmjet dialogut të strukturuar/ Plane lokale veprimi për fuqizimin e rinisë dhe zë për të rinjtë në buxhet".

Aktiviteti kishte karakter gjithëpërfshirës me përfaqësues nga institucionet vendore si Bashkia në nivel Këshilli dhe Administrate, DAR, përfaqësues nga shkollat e mesme, mësues, të rinj aktiv në shoqëri civile, përfaqësues të organizatave joqeveritare, të rinj aktiv në forumet rinore të partive politike dhe përfaqësues të medias.

Si përfaqësues të bashkisë në këtë aktivitet merrnin pjesë drejtori i arsimit kulturës rinisë sporteve dhe komuniteteve fetare në bashkinë e Durrësit Adrian Gurra dhe drejtori i kabinetit Lavdosh Beqiraj.

Pas takimeve intensive në zyrat tona me të gjithë elementët e rrjetit tonë, partnerët e donatorët, kjo fazë synon hedhjen e kontributit të parë në draftimin e planeve lokale të veprimit. Ky kontribut në nivel lokal dhe menaxhohet dhe fasilitohet nga pikat tona të kontkatit në çdo qark.

Ky aktivitet në nivel lokal erdhi nën kujdesin e shoqatës "Udhëtim i Lirë" dhe nën koordinimin e znj.Miranda Mansaku. Kjo iniciativë mbështetet nga fondacioni Friedrich Ebert dhe implementohet nga Kongresi Rinor Kombëtar. Synimi i këtij programi, i cili i ka rrënjët që në nëshkrimin e Rezolutës se Rinisë 12 gusht 2016 është fuqizimi i rinisë nëpërmjet bashkëpunimit me pushtetin vendor dhe gjithë aktorët aktivë relevant.

Misioni i kësaj iniciative, nëpërmjet rrjetit të Kongresit të shtrirë në 12 qarqe, është advokimi dhe lobimi për plane konkrete lokale të veprimit të rinisë dhe buxhet specifik për rininë të parashikuar për realizimin e startegjive dhe planeve të veprimit.

Kjo iniciativë do të pasohet nga zëri dhe qëndrimi i përbashkët në lidhje me nevojat në sektorin e rinisë, ciklin e politikave, rekomandimet dhe presionin politik për zgjedhjet e ardhshme lokale dhe procesin e ndërtimit të strategjisë së re për rininë.