Në një njoftim të fundit, Kryeministria ka bërë publike listën e 17 gjyqtarëve që kanë aplikuar për të qenë gjyqtari i ri i Shqipërisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Në kuadër të procesit për zgjedhjen e gjyqtarit të ri të Shqipërisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Këshilli i Evropës i ka kërkuar qeverisë shqiptare të paraqesë listën me propozime për tri kandidaturat më të përshtatshme për këtë pozicion.

Më poshtë paraqitet lista e aplikantëve për kandidat për pozicionin e mësipërm, sipas renditjes alfabetike:

  1. Altina Xhoxhaj

  2. Arben Braçe

  3. Asllan Karaj

  4. Darian Pavli

  5. Darjel Sina

  6. Elira Kokona

  7. Genci Bilali

  8. Jonela Kita

  9. Marjana Semini

  10. Oriona Muçollari

  11. Përparim Kalo

  12. Rezarta Tahiraj

  13. Sinan Tafaj

  14. Sokol Berberi

  15. Sokol Hasani

  16. Sonila Bejtja

  17. Suzana Frashëri

Siç është komunikuar edhe në njoftimin për aplikim

  • Duke marrë në konsideratë rëndësinë e integritetit profesional e moral, si dhe pastërtinë e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë shqiptare, por edhe të përfaqësuesve shqiptarë në trupat ndërkombëtare gjyqësore, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, aplikantët për kandidat për pozicionin e gjyqtarit të ri të Shqipërisë në GJEDNJ do t’i nënshtrohen procesit të rivlerësimit kalimtar (Vetting-ut), si më poshtë:

  1. Aplikantët për pozicionin e gjyqtarit në GJEDNJ, që mbajnë funksionet e parashikuara nga pikat 3 e 4 (fjalia e parë), të nenit 179/b, të Kushtetutës, rivlerësohen ex officio, nga institucionet e rivlerësimit;

  2. Aplikantët për pozicionin e gjyqtarit në GJEDNJ, që vijnë nga radhët e ish-gjyqtarëve, ish-prokurorëve, ish-këshilltarëve ligjorë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, të cilët kanë punuar në këto pozicione të paktën tre vjet, do t’i nënshtrohen parimeve të pikës 3, të këtij njoftimi. Por, nëse dëshirojnë, mund të rivlerësohen nga institucionet e rivlerësimit, në përputhje me pikën 4 (fjalia e dytë), të nenit 179/b, të Kushtetutës;

  3. Aplikantët e tjerë, profesionistë të së drejtës, që nuk përfshihen në kategoritë e përmendura në pikat 1 e 2, do t’u nënshtrohen parimeve që qëndrojnë në themel të procesit të rivlerësimit (Vetting-ut), të cilat lidhen me çështje të vlerësimit të pasurisë, kontrollit të figurës dhe të vlerësimit profesional, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse.

  • Pas përfundimit të këtij procesi si dhe vlerësimit të dosjeve të aplikimit, aplikantët do të njoftohen për kryerjen e intervistës.