Dhoma e Tregëtisë dhe Industrisë në Durrës ka dalë kundër vendimit të qeverisë për tarifën e qarkullimit të mjeteve në Rrugën e Kombit, si edhe për futjen e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së.
Në një pronocim për "DurrësLajm", kreu i kësaj dhome në Durrës, Andrea Xhavara, foli në lidhje me dy çështjet më të mprehta që kanë ndikim të drejtpërdrejtë tek biznesi: tarifa e Rrugës së Kombit dhe ankimimin e bizneseve për futjen në skemën e TVSH-së.
Xhavara si përfaqësues i bizneseve durrsake tha se rruga Durrës- Kukës, do mirëmbajtje, duhet paguar, por kurrsesi tarifa që cënojnë popullatën siç janë banorët e Kukësit. Njëkohësisht tarifa ndikon drejtpërsëdrejti edhe në turistët që nëpërmjet këtij segmenti vijnë nga Kosova në Durrës.
"Për shqiptarët është ngritur një grup pune e po diskutohet çmimi, por fatkeqësisht nuk është thënë gjë për turistët të huajt e kosovarët. Kosovarët deri tani kanë thënë që tarifa është e lartë. Duhet të rishikohet. Grupet nga Kosova që vijnë në fundjavë rëndohen nga tarifa 5 euro për një kalim. Kjo duhet të jetë e arsyeshme dhe e përballueshme nga të gjithë për të mos rritur koston e një pushimi në weekend," tha Xhavara.
Përsa i përket çështjes së binzesit të vogël, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë u shpreh:
"10 mijë biznese në të gjithë vendin futen në skemën e TVSH-së në të gjthë vendin, 1200 prej të cilave i takojnë bashkisë së Durrësit. Ne dhamë mendimin që të mos bëhej kjo punë sepse rriten kostot, rriten burokracitë, në të ardhmen do tu kërkohen balance. Qeveria mendon që do të informalizojë biznesin e madh duke ngarkuar biznesin e vogël. Ne mendojmë që kjo do të mjaftonte vetëm me lëshimin e faturës. Shitblerje pa faturë të quhej e paligjshme dhe të dënohej rëndë. Duhet të shitet me faturë nga kushdo."





