Pezullohet nga detyra mësuesi i shkollës 9-vjeçare “Adem Gjeli” Fatmir Dervina, i cili u përfshi dje në një skandal me një video erotike që kishte përfunduar në telefonat e nxënësve dhe mësuesve të shkollës.
Lajmi konfirmohet nga burime pranë Ministrisë së Arsimit, ndërkohë që edhe në një njoftim zyrtar të shkollës, thuhet se institucioni arsimor dënon ashpër veprimin, ndërsa e ka pezulluar nga detyra.
Pezullimi do të jetë në fuqi deri sa të mbarojnë hetimet.
REAGIMI I SHKOLLËS:
Duke marrë shkas nga ngjarja e publikuar në rrjetet sociale, mbi publikimin e një videoje me përmbajtje që cenon integritetin e një mësimdhënësi, nga një mësues i shkollës sonë, drejtoria e shkollës 9-vjeçare “Adem Gjeli” Fushë-Krujë dënon ashpër veprimin dhe ka marrë masën:
PEZULLIM NGA PUNA DERI NE ZBARDHJEN E ÇESHTJES NGA ORGANET KOMPETENTE
Ishte ish-kryeministri Sali Berisha i pari që publikoi në faqen e tij të ‘Facebook’-ut denoncimin e një qytetari dixhital, i cili akuzonte mësuesin e Matematikës për veprime joetike. Ai tha se videon perverse mësuesi ua kishte nisur disa nxënësve.
Vetë mësuesi u thirr në polici dhe pohoi se videon ishte diçka e tij personale dhe se nuk kishte lidhje me ambientet e shkollës.





