Policia Bashkiake dhe kreu i njësisë administrative nr.6 në Durrës kanë ndërhyrë për të larguar një automjet të vendosur në tokën e një çifti të moshuarish në lagjen nr.17 të qytetit bregdetar.  

Trualli i blerë para 15 vitesh në lagjen nr.17 i ka shkaktuar jo pak probleme familjes Balla, në zonën e ish-Kënetës.

75-vjeçarja Kadife Balla, tregon për “DurrësLajm” se pasi bleu tokën në vitin 2003, donte të ndërtonte aty një shtëpi për të futur kokën, por pikërisht dy vite më pas nis kalvari i vuajtjeve të çiftit të moshuar. Dy vite pasi kishin blerë truallin, një tjetër shtetas është vetëshpallur pronar i tokës, megjithëse sipas çiftit Balla ai nuk disponon dokumentet e pronësisë.

Familja Balla do të ndërtonte një barake për të jetuar në tokën që kishte blerë, ndërkohë që zaptuesi i tokës do të vendoste për vite me radhë një makinë të vjetër.

Dhe këtu nis kalvari i vuajtve për dy të moshuarit që jetojnë në baraken prej plasmasi siç tregon Kadife Balla, e cila pohon se ajo dhe bashkëshorti 84-vjeçar janë rrahur e torturuar.

“Ka hyrë forcërisht. Kam bo gjithë këto gjyqe, letra nuk ka paraqitur asnjëherë nëpër gjyqe. Po vuaj shumë prej vitesh në baraken prej plasmasi. E di gjithë lagjja që më kanë ardh e më kanë rrah e tërheq zvarrë, kam raportet mjekësore,” tregon mes lotësh zonja Kadife.

Makina në truallin e saj, përbënte një problem që nuk ka mundur t’i japë zgjidhje as Gjykata as policia deri më sot.

Por me ndërhyrjen e policisë bashkiake dhe kryetarit të njësisë administrative nr.6, Serjan Mazrreku ditën e sotme, automjeti është zhvendosur nga toka e blerë nga çifti Balla.

Kreu i njësisë administrative nr.6, Mazrreku tregon për DurrësLajm se konflikti mes çiftit Balla dhe shtetasit Genc Labi, që pretendon pronësinë e sipërfaqes së tokës vazhdon prej shumë vitesh.

“Familja Balla dhe Genc Labi kanë aplikuar për legalizim, pranë ALUIZNI-t. Kjo makinë ishte bërë prej shumë kohësh mollë sherri mes dy palëve në konflikt. Banorët e zonës janë munduar t’i vijnë në ndihmë dy të moshuarve duke firmosur e dëshmuar se toka u përket atyre, por konflikti ka vazhduar të jetë i ndezur mes dy familjeve. Ne sot ndërhymë për të larguar automjetin, që është bërë burim konflikti”, tha Mazrreku për DurrësLajm.

Ndërkohë çifti i moshuar ka falenderuar autoritetet vendore që u erdhën në ndihmë për zgjidhjen e konfliktit të pronësisë dhe largimin e makinës së kthyer në 'mollë sherri'.

G.D.