Teuta kërkon të konfirmojë formën e mirë që po kalon në përballjen direkte me Vllazninë. Bregdetarët kanë me vete edhe statistikat ndaj shkodranëve, teksa i kanë mundur dy herë në tri përballjet e këtij kampionati.Mbrojtësi i majtë shkodran që luan me Teutën, Esin Hakaj, shfaqet optimist dhe beson se do të fitojnë me Vllazninë.  Ai thotë se i vjen keq për ish-ekipin, por thekson se ata ndodhen në të njëjtën situatë prej vitesh.

A është vendimtar ky takimin për të përcaktuar ekipin që do të zbresë nga Superiorja?

Janë edhe shumë ndeshje në lojë, por për ne është vendimtare, pasi një fitore na ngjit në klasifikim dhe gjithçka merr një rrjedhë tjetër. Sigurisht, ne duhet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet, pasi kjo është mënyra e vetme për fituar garën me rivalët tanë.

Kaq i sigurt jeni se mund të fitoni çdo ndeshje deri në fund?

Në futboll nuk i dihet kurrë se çfarë ndodh, por nëse shohim performancat që kemi bërë në javët e fundit, kemi të drejtë të mendojmë kështu. Ekipi është i bindur për forcën që ka. Nëse do të kishim këtë vijimësi edhe në dy fazat e para, do të flisnim ndryshe. Teuta nuk e meriton të jetë në këto pozita. Gjithsesi, ne duhet të fokusohemi vetëm te kundërshtari dhe të marrim më të mirën.

A ju vjen keq që Vllaznia ndodhet në këtë gjendje si shkodran që jeni?

Sigurisht që më vjen keq sepse Vllaznia është djepi i futbollit shqiptar. Nuk e meriton të jetë në këtë situatë, duke i bërë me zemër tifozët. Por të jemi realist, klubi ka vite që është në këto ujëra dhe tani kjo duket diçka normale. Nëse dikush e do vërtet Vllazninë, duhet të bëjë më shumë, pasi deri tani është lënë në mëshirë të fatit.

Kthehemi te Teuta, e kishit menduar kur filluat kampionatin se do të ndodheshit në këto pozita dhe, për më tepër, do ta diskutonit mbijetesën me Vllazninë?

Ne kishim objektiva të tjerë dhe, të jem realist, të gjithë prisnin më shumë nga ne. Gjithsesi, situata doli nga kontrolli dhe më pas gjithçka shkoi keq. Në verë u ndërtua një ekip për të dalë minimumi në kompeticionet europiane, por grupi i ri dhe euforia besoj se ndikoi.

Çfarë ka ndodhur tani, pasi keni më tepër siguri në mbrojtje?

Besoj se tani mbrojmë të gjithë dhe sulmojmë me forca më të shumta. Ekipi është rritur, lojtarët e njohin më mirë lojën e njëritjetrit dhe kjo ka ndikuar pozitivisht.

Tifozët duket se ju kanë braktisur dhe jo pa të drejtë. Sa e ndieni mungesën e tyre?

Çdo ekip e ka më të lehtë kur tifozët e mbështesin, jo më kot quhen lojtari i 12-të. Ne e kemi ndierë shumë mungesën e tyre dhe ata kanë të drejtë, pasi ne nuk kemi qenë në nivelin e kërkuar. Megjithatë, në këtë moment ekipi po kalon një situatë të vështirë dhe ka nevojë për mbështetjen e tyre. Ata janë si katalizator për ne dhe u bëj thirrje të dielën të jenë sa më të shumtë për ta kthyer në festë me Vllazninë.