Policia financiare italiane e Napolit ka ekzekutuar në orët e para të mëngjesit të sotëm një mega operacion, i cili ka çuar në sekuestrimin rekord të një sasie droge, 8000 kg hashash.
Gjatë një kontrolli në një magazinë mallrash janë gjetur 12 kuti druri të mbylluara hermetikisht brenda të cilave ndodheshin 8000 kg hashash e konfeksionuar në pako 1 kg secila.
Sipas policisë italiane, kjo lëndë narkotike do t’i sillte organizatave kriminale një përfitim prej 80 milionë euro.
Në pranga me akuzën e trafikut të drogës është vënë një shtetase italiane nga Napoli 47 vjeçe, e cila është pronarja e firmës së transportit që kishte magazinuar mallin në këtë magazinë.
Hetimet e policisë italiane sapo kanë nisur për të zbardhur bashkëpunëtorët e organizatorët e këtij trafiku të madh droge.
Kjo është një nga sasitë më të mëdha të lëndëve narkotike të sekuestruara deri më sot në rajonin e Kampanjës.





