Lamtumirë Ada Kalaja, vajza që i priste buzëqeshur qytetarët e Durrësit në bashki.

Është shuar në moshë të re krejt papritur si rezultat i një sëmundjeje të rëndë e të pakurueshme punonjësja e bashkisë së Durrësit e cila shërbente në sallën e pritjes së qytetarëve.

Të gjithë qytetarët e Durrësit që i janë drejtuar bashkisë, në sallën e pritjes janë pritur nga Ada Kalaja deri dje.

Vajza me flokët e verdha me gërsheta e cila kishte një buzëqeshje të pandryshuar në fytyrë ndihmonte qytetarët të plotësonin formularin e ankesës apo kërkesës së tyre.

Humbja tragjike e jetës brenda pak javësh ka tronditur jo vetëm administratën e bashkisë por të gjithë rrethin miqësor e shoqëror të saj:

Në bashkinë e Durrësit që prej dje kur u mësua lajmi, ishte vënë kuja ndërsa sot kryhej ceremonia e varrimit.

Vajza me shpirt artisti kishte përfunduar për pikturë, dhe prej disa vitesh punonte në bashkinë e Durrësit, ndërsa pas pune ushtrohej në dhomë duke derdhur në telajo shpirtin saj.

Shoqet dhe mikeshat e saj të tronditura janë shprehur se kanceri i gjirit e ndau shumë shpejt nga familja e ëndrrat e rinisë, nga puna e nga peneli të cilin e konsideronte dashuri të shpirtit.

“Para dy muajsh kishte kryer analizat dhe sëmundja kishte përparuar shumë. Nëna e saj u mundua të mos ia thoshte duke shpresuar në mrekulli deri dje kur zoti e thirri pranë vetes,” thanë mikeshat e saj me lot në sy.