Kryepeshkopi Anastas Janullatos ka uruar besimtarët ortodoksë për festën e Pashkës. Ai iu ka bërë thirrje besimtarëve që të përçojnë të vërtetën dhe shpresën, të transmetojnë dashurinë, paqen dhe gëzimin tek njerëzit e tjerë.

"Të gjitha qelizat e Trupit kishtar, të gjithë ne besimtarët, ftohemi të marrim pjesë në këtë detyrë që na e ka ngarkuar Perëndia, sipas mundësive, dhuratave dhe kushteve ku jetojmë. Tradita ngjallësore për të përçuar flakën e llambadhes paskale edhe te të tjerët, na rikujton detyrën për të ofruar të vërtetën dhe shpresën e Krishtit te njerëzit e tjerë. Veçanërisht në epoka të vështira, si kjo e sotmja, ku dëshpërimi i thell dhe shqetësimi janë përhapur në mbarë shoqërinë dhe ku zhgënjimi i shtyp zemrat, çdo besimtar ftohet të marrë mesazhin ngjallësor të gëzimit, të dashurisë dhe të paqes dhe ta transmetojë tek ata që ndodhen afër dhe larg tij."